Arbëri

Thaçi në Vjenë: Zgjidhja duhet të jetë e favorshme për të dy palët

Sot, në Vjenë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se Kosova është e gatshme për dialog edhe për kompromis e për marrëveshje dhe për marrëdhënie evropiane me Serbinë, transmeton Koha.net .

Ai ka thënë se zgjidhja duhet të jetë e favorshme për të dyja palët.

Duke folur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, Thaçi ka theksuar se mund të lëvizim përpara, të angazhohemi për kompromis dhe t’i ndihmojmë njerëzit në Kosovë dhe Serbi që të arrijnë normalizimin dhe pajtimin historik.

“Ose mund të mbërthehemi në status quo dhe t’i ftojmë forcat e ekstremizmit, nacionalizmit dhe rreziqeve të jashtme për të rrënuar të gjithë progresin që kemi arritur. Unë besoj dhe shumica e partive politike të Kosovës pajtohen, se ne tani duhet të lëvizim drejt zgjidhjes së përhershme”, ka thënë ai, njofton kumtesa presidenciale.

“Kemi nevojë për angazhim shumë të fokusuar dhe të fortë nga Brukseli për të arritur një marrëveshje juridike kornizë mes dy palëve. Nuk mjafton që Brukseli vetëm të sigurojë një sallë dhe disa restorante. Brukseli duhet të investojë për të arritur te vetë zgjidhja. Duhet të investojë burime, njerëz dhe kohë për mbylljen e këtij kapitulli. Besoj se zonja Mogherini do ta bëjë këtë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se procesi ka nevojë edhe që Uashingtoni të mbetet i angazhuar.

Presidenti Thaçi ka përmendur se zgjidhja duhet të jetë e favorshme për të dyja palët.

“Ajo nuk mund të matet në kilometra të territorit, por në progres për integrimin e ardhshëm në BE. Ne duhet të ofrojmë siguri dhe mundësi maksimale për serbët e Kosovës, por gjithashtu një vend të barabartë për Kosovën në familjen e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Thaçi.

Në kryeqytetin austriak Thaçi ka marrë pjesë në promovimin që Akademia Diplomatike e Vjenës i ka bërë librit biografik “New State, Modern Statesman”.

Aty të pranishëm ishin personalitete të jetës publike në Austri: drejtori i Akademisë Diplomatike të Vjenës, Emil Brix, ambasadori Albert Rohan, ambasadori Wolfgang Petrisch si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Thaçi ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, për perspektiven evropiane dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nga Christine von Kohl e deri te Otto von Habsburg dhe nga Alois Mock e deri te Rohan dhe Petritsch, Kosova gjithmonë ka gjetur mbështetje këtu. Kjo përkrahje bazohej në parime dhe njohuri shumë të mirë për Ballkanin”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Shpata dhe helmeta e heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut, i cili gëzon epitetin “Kampioni i Krishtit”, gjinden në Vjenë. Hasan Prishtina, një nga figurat më të mëdha historike të Kosovës, gjithashtu iku në Vjenë kur Serbia e ripushtoi Kosovën më 1918”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se Vjena është gjithashtu vendi ku presidenti Martti Ahtisaari dhe ambasadori Rohan zhvilluan bisedime për statusin përfundimtar të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka shpalosur edhe diskutimet që ka pasur në takimin me kancelarin Kurz.