Sipas GAP, Projektligji për mësimdhënësit e ’90-tave kushton 30 milionë

Sipas GAP, Projektligji për mësimdhënësit e ’90-tave kushton 30 milionë

28 maj 2018 12:02

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka draftuar “Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99”, i cili është miratuar më 17 maj 2018 në Parlament.

Sipas vlerësimit të ndikimit financiar buxhetor të Ministrisë së Financave, ky ligj do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 16.7 milionë euro në periudhën 2019-2020.

Mirëpo, Instituti GAP ka draftuar një analizë ku paraqet argumente se projektligji i lartpërmendur ka kosto më të lartë se 16.7 milionë euro, 30.4 milionë euro apo 16.1 milionë euro më e lartë se sa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave.

Agron Demi nga Instituti GAP tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar në parim këtë projektligj me informacion gjysmak apo të gabuar.

Në këtë draft analizë, Instituti GAP gjithashtu ka paraqitur një model me skenarë të ndryshme të kostos financiare të këtij projektligji.

Në bazë të kalkulimit të MASHT numri punonjësve në këtë periudhë ishte 23 mijë persona.

Blend Hasaj nga GAP ka thënë se qëllimi parësor i kësaj analize është se barra buxhetore do të jetë shumë herë më e lartë se ajo që është prezantuar në projektligj.

Hasaj tha se jetëgjatësia e këtij projektligji është deri në vitin 2049 me një kosto totale 650 milionë euro.

Fatmir Gashi zëvendësministër i Financave tha se këtë projektligj ishte dashur të sponzorizojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe jo Ministria e Arsimit, meqë sipas tij, bëhet fjalë për pensione.

“Ne dhe ministri i Financave Bedri Hamza kemi apeluar në Kuvend për një kujdes të shtuar për këtë projektligj, sepse rrezikohet stabiliteti makro fikskal. Çdo njeri ka kontribut në atë kohë në forma të ndryshme, edhe pse nuk jemi kundër arsimit, por ka shumë kategori të tjera që mund t’iu hymë në hak”, tha ai, duke shtuar se përkrah rekomandimet e institutit GAP, njofton kp.

Ai tha se MF respekton këtë kategori të arsimit, mirëpo duhet gjetur një metodë që nuk rrezikon buxhetin.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, tha se në ditën e parë që është prezantuar projektligji, që ka pasur dy kosto dhe mos qartësim, që krijon një përshtypje jo të mirë.

“Një vendim i tillë ka një ndikim buxhetor për gjeneratën e tanishme për të përkrahur skemat sociale. Në qoftë se trajtojmë arsimin, pas kësaj do të duhet trajtuar edhe shëndetësinë me një kosto të përafërt. Vendimi është popullist dhe kjo nuk duhet trajtuar në këtë mënyrë për arsimin. Pra, ky është vendim politik dhe është e udhës që pozita të ketë më shumë përgjegjësi. Andaj, duhet ta dimë koston reale të këtij projektligji, se a është 16 milionë apo 32 milionë?”, tha deputeti Abdixhiku.

Deputeti i PSD-së Dardan Sejdiu tha se gati 200 mijë qytetarë në këtë periudhë janë larguar nga puna dhe të gjithë ata duhet ta kenë një pension të dinjitetshëm .

Ai tha se sot në Kosovë janë 26 skema pensionale, ku sipas tij nuk ekziston në asnjë vend të botës .

“Me këtë veprim të skemave sociale dhe me këtë projektligj të arsimit kemi me çuar vendin në bankrot financiar. Kemi pasur edhe kategori tjera të çmuara. Mbi 3 mijë policë ishin detyruar ta lëshonin punën, po ashtu në gjykata si dhe në administrata të ndryshme. Andaj, kjo çështje duhet trajtuar me Kod pensional duke i përfshirë të gjithë”, ka thënë Sejdiu.

Imer Imeri nga sindikata e Arsimit, tha se asnjëra kosto nuk është reale, as e Ministrisë së Financave dhe as e inistitutit GAP. Sipas tij, kostoja është me ulët. Ai tha se është mirë të definohet saktë kostoja financiare.

“Ne si sindikatë kemi dyshime se në çdo hap po tentohet me u pengua ligji. Kur kërkohet me u futur në kod edhe ata që janë larguar nga puna dhe ata që janë larguar nga vendi. Edhe po të jetë kjo shumë që po paraqitet nga GAP, nuk është e lartë. Ndikimi i saj buxhetor nuk mund të jetë i lartë. Kostoja e paraqitur nga MF është e përafërt”, tha Imeri.

Sipas analizës së GAP të paraqitur sot në një debat, është se sipas nenit shtatë të këtij projektligji për arsimin, pensioni meritor ndahet në dy kategori: ata që janë angazhuar më shumë se pesë vjet marrin pension ekuivalent me 75 përqind të pagës bazë që është tani në arsimin fillor(405 euro dhe ata që kanë shërbyer nga 1 deri 5 vite dhe marrin 65 përqind të pagës pagë në arsimin fillor. Pensioni është i transferueshëm tek partnerët.

Ndërsa, Dukagjin Pupovci profesor tha se në atë kohë asnjë arsimtar dhe profesor nuk ka punuar pa para, mbase edhe pa vonesa, mund të ketë pasur ndonjë vonesë nëpër shkollat fillore dhe të mesme, por në fakultete s’ka pasur as vonesa të realizimit të pagave në periudhën e atëhershme.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme