Arbëri

Salih Mekaj lirohet nga të gjitha akuzat

Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën e ka liruar nga të gjitha akuzat ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj. Nga akuzat janë liruar edhe të akuzuarit e tjerë Vlora Gorani, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj .

Lajmin e ka konfirmuar në Facebook, edhe vet avokati i tij Besnik Berisha.

"Kujt mund t’i interesoj. Lirohet nga aktakuza z. Sali Mekaj dhe te tjeret...", ka shkruar ai.

Ky proces gjyqësor, është mbajtur larg syve të publikut për shkak të vendimit të gjykatës për ta mbyllur atë për median dhe publikun. Supremja, në mars të këtij viti, e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë në rastin e Mekajt.“Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga prokurori i shtetit, në rastin e S.M, lënda me numër PML 361/2017. Kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur për këtë rast me datë 27 mars 2018, ndërsa lënda është ekspeduar me datë 6 prill 2018”, thuhej në përgjigje.

Prokuroria e Shtetit, në dhjetor të vitit të kaluar, kishte ushtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të marr më 2 nëntor të atij viti, me të cilin kishte hedhur poshtë një pjesë të aktakuzës për ish-kryetarin e kësaj gjykate, Salih Mekaj.

Sipas këtij aktvendimi, Mekaj lirohej nga akuza për keqpërdorim të detyrës për rastin e fajdeve.Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, ishte paraqitur më 4 dhjetor të vitit 2017 nga prokurorja Laura Pula, me pretendimin se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal.

“Këtë qëndrim ne e bazojmë se elementet e veprës penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së konstatojnë në faktin se i akuzuari Salih Mekaj duke qenë kryetar i Gjykatës së Apelit, e ka ditur dhe është dashur të din se mënyrë e rregullt për nxjerrjen e borxhit, është padia në kontest civil. Në këtë drejtim nuk mund të qëndrojë vlerësimi i Gjykatës së Apelit se nuk ekziston asnjë element inkriminues në veprimet e të pandehurit”, thuhej në këtë kërkesë, raporton Betimi për Drejtësi.

“Në rastin konkret i akuzuari Salih Mekaj është angazhuar për nxjerrjen e borxhit të pretenduar në dobi të të afërmit të tij Asdren Mekajt. Ky veprim është pranuar edhe nga vet i akuzuari, në kuptim të nenit 422 par.1 të KPRK-së , paraqet tejkalim të kompetencave me qëllim të përfitimit material në emër të nipit të tij Asdren Mekaj. Ky tejkalim i kompetencave sanksionohet edhe me kodin e etikes profesionale për gjyqtarë e që është referencë e detyrueshme për vlerësimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarit në rastin konkret”, thuhej ndër të tjerash në kërkesën e prokurorisë.

Gjykata Themelore më 11 korrik 2017, kishte refuzuar si të pabazuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.Mbrojtja ndaj këtij aktvendimi kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit më 2 nëntor, e kishte ndryshuar aktvendimin e Themelores dhe e kishte hudhur aktakuzën për pikën 1 të dispozitivit, me ç’rast Mekaj ishte liruar nga akuza për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ku thuhej se ai në mars të vitit 2015 ishte takuar me të dëmtuarin Zef Gruda dhe djalin e tij, Pal Gruda për kthimin e një borxhi për një të afërm të tij.

Sipas aktakuzës, ky takim ishte aranzhuar për qëllim të nxjerrjes së borxhit në shumë prej 200,000 eurosh, që Gruda i kishte të afërmit të tij, Asdren Mekajt.“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, nuk ekziston asnjë element inkriminues në veprimet e të pandehurit Mekaj, kjo për faktin se qëllimi ka qenë zgjidhja e problemit në mes dy familjeve dhe për këtë arsye është gjetur kisha-katedralja në Prishtinë si vendtakim për arritjen e marrëveshjes”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Sipas këtij aktvendimi, gjykimi për Mekaj dhe tre të pandehurit tjerë do të vazhdojë për pikat e tjera të aktakuzës.Gjykimi në këtë rast nuk kishte mundur të zhvillohej për shkak se kishte mbetur peng i kësaj përgjigjeje nga Supremja.Më 19 janar të këtij viti, kishte dështuar të mbahej seanca, për shkak se siç kishte deklaruar gjykatësi i çështjes Shashivar Hoti, kjo lëndë ishte ende në Gjykatën Supreme. Sipas gjykatësit Hoti, seanca e radhës në këtë rast do të caktohej pasi që të kthehet lënda nga Supremja dhe pasi që të sigurohet prania e njërit nga të akuzuarit Ali Seferaj, i cili kishte munguar në atë seancë.

Ndryshe, ky proces gjyqësor është mbajtur larg syve të publikut për shkak të vendimit të gjykatës për ta mbyllur atë për median dhe publikun.Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj dhe tre të pandehurve tjerë Vlora Goranit, Mentor Seferaj dhe Ali Seferaj.

Aktakuza në këtë rast ishte ngritur më 31 maj të vitit të kaluar. Sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Mekaj, në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për persona të tjerë. Mekaj i ka premtuar të pandehurës Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi.

I pandehuri Mekaj me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.Njëra prej këtyre lëndëve ka të bëjë me bashkëshortin e saj, Fahri Deçani për veprën penale të shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe vrasjes në tentativë.Ndërsa, lënda tjetër ka të bëjë me mikun e saj Mentor Seferaj, për veprat penale që lidhen me narkotikët në formë të krimit të organizuar, për të cilat lëndë i pandehuri Mekaj i ka premtuar të pandehurës Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, për të cilat ngarkohen të pandehurit Deçani dhe Mentor Seferaj nga veprat penale më të rënda në ato më të buta, në mënyrë që ata të lirohen nga paraburgimi.

Sipas aktakuzës, Mekaj për këtë qëllim ishte takuar me gjyqtaren e çështjes, Lumturije Muhaxheri, më 16 korrik 2015, në Prishtinë , nga e cila kishte kërkuar që ta caktoj shqyrtimin gjyqësor edhe pse e ka ditur që një gjë e tillë është në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 26.11.2013, që lënda kundër të pandehurve Fahri Deçani nuk mund të veçohet dhe kjo lëndë duhet të bashkohet me lëndët për të njëjtën çështje penale ndaj të pandehurve, Haki Gjocaj dhe Florim Gjocaj.Sipas kësaj pike, Mekaj kishte kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze, e pandehura Gorani për veprimet e lartcekura akuzohet për shtytje në kryerjen e vepres penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”Po ashtu, Gorani akuzohet se në bashkëkryerje me dy të pandehurit Mentor dhe Ali Seferaj për veprën penale “dhënia e ryshfetit”, pasi në bazë të marrëveshjes paraprake dhe në bashkëpunim mes veti me 20 shkurt të vitit 2015, në Pejë, e pandehura Gorani ka marrë nga i pandehuri Seferaj para në shumë prej 20.000 eurosh, të cilat sipas aktit akuzues ka pasur për t’ia dhënë Mekajt, me qëllim që përmes tij të arrij lirimin nga paraburgimi i të pandehurve Mentor Seferaj dhe Fahri Deçanit.