Arbëri

Lista Serbe do ndryshime kushtetuese për t’i lënë vend themelimit të Asociacionit

Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka ngjallur sërish debat mes komunitetit serb dhe institucioneve vendore.

Lista Serbe kërkon që për formimin e Asociacionit të ndryshohet Kushtetuta, ndërsa institucionet në Prishtinë thonë se kjo është e pamundur, pasi marrëveshja e Brukselit nënkupton se Asociacioni duhet të formohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Lidhur me këtë, analistët thonë se Serbia qëllimisht po provokon situatën.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, ka thënë se marrëveshja e Brukselit për formimin e Asociacionit nuk mund të realizohet pa këto ndryshime dhe kjo sipas tij, është pjesë e planit zbatues për formimin e Asociacionit.

“Absolutisht është e nevojshme që të ketë ndryshime jo vetëm kushtetuese, por edhe të gjitha aktet tjera ligjore, në mënyrë që të mundësohet përshtatja e kornizës ligjore të Prishtinës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Kjo është mënyra e vetme që Bashkësia e komunave serbe të formohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel. Gjithçka tjetër, nëse nuk e kemi këtë hap të parë, nënkupton zvarritje të serishme dhe probleme për formimin e saj”, theksoi Simiq për Evropën e Lirë.

Milaim Zeka, anëtar i Komisionit për Qeverisje Lokale, njëherësh edhe deputet nga Nisma Socialdemokrate, ka thënë se nuk do të pranojnë kurrfarë ndryshimi kushtetues, e nëpërmjet së cilës Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të shndërrohej në një minishtet.

Armend Zemaj nga LDK ka thënë se ndryshimet kushtetuese do të bëhen vetëm atëherë kur janë në të mirë të Kosovës, në zhvillimin e saj, ndërkohë që nuk do të ketë ndryshime kushtetuese kur ato rrezikojnë integritetin e Kosovës.

Për Naim Rashitin, kërkesa e Listës Serbe për ndryshimet kushtetuese është në një kohë kritike pasi në këtë kohë po bëhen përgatitjet për dialogun final mes Kosovës dhe Serbisë, e që kjo është një përpjekje e Beogradit që serbët të krijojnë një autonomi.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja e parë për Asociacionin, e arritur në Bruksel në vitin 2013, nuk mund të zbatohet pa ndryshime kushtetuese dhe ligjore.

Ai ka shtuar se deputetët e Listës Serbe kanë të drejtë legjitime që t’i iniciojnë ndryshimet kushtetuese, duke i respektuar procedurat që parashohin numrin e caktuar të mbledhjes së nënshkrimeve, të 30 deputetëve të Kuvendit, për një çështje të tillë.