Arbëri

Shpallen 55 matematikanët më të mirë kosovarë

Rreth pesëdhjetë e pesë nxënës të të gjitha shkollave të Kosovës sot janë certifikuar nga Instituti “Atomi” pasi u treguan më të suksesshmit në garën ndërkombëtare të matematikës “Kangaroo” në Kosovë.

Gjatë kësaj ceremonie u ndan medalje edhe për tre më të suksesshmit e kësaj gare të matematikës, ku vendin e parë në bazë të pikëve në teste e mori Leon Dërguti, vendin i dytë i takoi Shpend Deva, kurse vendin e tretë e gëzoi Kanita Muja.

Pjesëmarrës në ndarjen e këtyre çmimeve ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi me ç’rast shprehu mbështetjen për të gjithë talentet në vend e në veçanti atyre të matematikës.

“Nuk është vetëm përgjegjësia e një instituti të caktuar që të mirët me talentet në të gjitha fushat, por në veçanti në fushën e matematikës, por është një përgjegjësi edhe e instituteve tjera po ashtu është në veçanti përgjegjësi e ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Këtyre talenteve që sot po prezantojmë këtu dhe talentet tjerë të cilët kanë marr pjesë në garën e matematikës që kanë dal edhe fitues vërtet i përgëzoj dhe i uroj dhe mund të themi me mburrje të plotë se këta janë krenaria jo vetëm e prindërve, jo vetëm e nxënësve, por janë krenaria e shoqërisë tonë“, ka deklaruar Bytyqi, raporton KsP.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Atomi”, Jusuf Thaçi u shpreh se kjo garë i ka vënë në pahë dy gjëra, ku ndër to është se “Kangaroo” ka treguar se Kosova ka të meta në sistemin arsimor, sidomos në fushën e matematikës.

“Gjatë këtyre dy viteve na ka treguar dy gjëra të rëndësishme gara “Kangaroo” në Kosovë. Në një na ka treguar se edhe në Kosovë kemi nxënës, talente të reja të matematikës të krahasueshëm me bashkëmoshatarët e tyre nëpër gjithë botën...Testi “Kangaroo” është i njëjtë në të gjithë botën për të gjithë ata 6 milionë nxënës që i nënshtrohen këtij testimi. E dyta që na ka treguar testi “Kangaroo” duke marr parasysh rezultatin mesatar shumë të ulët në Kosovë tregon që ne kemi të meta të mëdha në sistemin tonë të edukimit, posaçërisht në fushën e matematikës për shkak se kemi rezultate shumë të ulëta si mesatare, në ndërkohë që këta individë më të mirët e kësaj gare dihet që jo domosdo janë rezultati i sistemit të edukimit e i shkollës, por janë kryesisht rezultatit i punës dhe i vetvetes apo edhe i familjes”, u shpreh ai.

Duke apeluar tek institucionet përkatëse të arsimit që të investojnë më shumë në fushën e matematikës, Thaçi u shpreh se zhvillimi i kësaj fushe kontribuon edhe në zhvillimin e fushave tjera.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Nuhi Lohaj tha se përmes këtyre garave po rritet edhe dija në fushën matematikore, prandaj mbështetja financiare për këta talent është e domosdoshme.

“Duhet të angazhohemi që t’i përkrahim të gjithë këto punë, garat etj etj. Ne presim që në të ardhmen një numër i konsiderueshëm i nxënësve të pranishëm që janë sot këtu do të ngriten në nivel ekspertësh të fushave shkencore për të cilat një impakt shumë të rëndësishëm kanë njohurit matematikore që kanë arritur deri më sot. Roli dhe rëndësia e matematikës është shumë e madhe jo vetëm për shkencën e matematikës dhe për arsimin në Kosovë, por para se gjithash matematika luan një rol vendimtar për shumë fusha të shkencës siç është fjala për shkencat kompjuterike” ,ka thënë ai.

Për herë të dytë Instituti “Atomi” me autorizimin e Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF) e ka organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë – Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K) .

Gjatë kësaj ceremonie janë ndarë çmime edhe për 6 nxënësit më të suksesshëm të kësaj gare në gjashtë kategori dhe disa nga fituesit janë: Edi Berisha, Ajan Rizvanolli, Robert Pira, Viktor Ahmeti, Dren Neziri etj.

Ndryshe, në Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë e cila u mbajt më 17 mars morën pjesë 5000 nxënës duke filluar nga klasa e parë deri në klasën e 12 nga të gjitha shkollat e Kosovës.