Arbëri

Haradinaj e fton zyrtarin e lartë amerikan Marocco, të vijë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Tiranë, ku po merr pjesë në takimin e 15-të të Evropës Juglindore, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një takim pune me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Haradinaj e ka njoftuar zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për progresin e arritur në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit, parandalimin e radikalizmit ekstrem, rritjen e qëndrueshme ekonomike prej 4.4% dhe për arritjen e mbajtjes së borxhit publik të ulët.

“Kosova dhe populli i saj janë të përkushtuar për rrugën evropiane dhe anëtarësim në Aleancën Veriatlantike NATO”, tha Haradinaj duke e ftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco që të vizitojë Kosovën dhe të njoftohet nga afër me punën dhe të arriturat e vendit.

Haradinaj, thuhet në kumtesë, e ka falënderuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për ndihmën e çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë në vazhdimësi Kosovës.

Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco e përgëzoi Kosovën për të gjitha arritjet e saja për një dekadë të shtetësisë, dhe siguroi se vëmendja amerikane do të vazhdojë të jetë e fokusuar rreth Ballkanit dhe Kosovës.