Arbëri

Dëshmori i demonstratave të ‘81, në dokumentar

Descriptive Text

​Është shënuar përvjetori i 36-të i rënies së dy dëshmorëve të parë të demonstratave të vitit 1981, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.

Me këtë rast në kinemanë ABC, në Prishtinë, është promovuar filmi dokumentar “Për ty Atdhe”, kushtuar dëshmorit Naser Hajrizi.

Në një fjalë rasti, Jashar Alija, ish veprimtar politik tha se mw 2 prill 1981, Naser Hajrizaj ra në ballë të demonstratave me flamur në dorë në qendër të Prishtinës.

“Naser Hajrizi që në rininë e hershme hyri në lëvizjen kombëtare të kohës. Kur të rinjtë përkushtohen për një ideal të madh, siç është ai i çlirimit kombëtar burrërohen më shpejtë, formojnë personalitetin e tyre kombëtar më shpejtë dhe bëhen më të pjekur. Naseri me virtytet e larta si guximi, besnikëria, vullneti për dije dhe vendosmëri po bëhej një veprimtar premtues i së ardhmes së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës për të cilën kishte aq shumë nevojë lufta në vijim”, tha ai, raporton KP.

Naser Hajrizi u lind më 7 gusht të vitit 1962 në fshatin Henc të Fushë-Kosovës. Ai bashkë me Asllan Pirevën janë dy dëshmorët e parë të demonstratave të 2 prillit 1981 gjatë të cilave u vranë nga oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës.

Një rrugë në Prishtinë dhe një tjetër në Vushtrri mbajnë emrin e këtij dëshmori. Në vendin ku të dy dëshmorët u vranë është vendosur një pllakatë ku çdo vit bëhen homazhe për nder të kujtimit dhe heroizmit të këtyre dy të rinjëve.

Dokumentari dokumentar “Për ty Atdhe” është punuar nga Agim Sylejmani nën regjinë e regjisorit Fitim Shala. Ai është shfaqur sot në sallën e mbushur plot të kinemasë ABC në Prishtinë. Pjesë e dokumentarit pos familjarëve, profesorëve, shokëve e shoqeve të dëshmorëve janë edhe historianët Jakup Krasniqi e Rexhep Qosja.