Arbëri

Kosova pajtohet për certifikim e riklasifikim të veteranëve të luftës

Ndryshimet e Ligjit të veteranëve të luftës u miratuan me shumë zhurmë e polemika, derisa zbatimi i amendamenteve të tij do të duhej të niste në prillin e vitit 2017.

Miliona euro parashiheshin t’i kurseheshin arkës së shtetit vetëm me kategorizimin e tij, por as në majin e 2018-s ky ligj nuk ka arritur të fuqizohet.

Qeveria e Kosovës thotë se derisa dosjet e veteranëve të luftës gjenden në Prokurori, edhe kategorizimi i tyre, sipas ligjit të ndryshuar, është i pamundur.

Por, Gazmend Syla, që udhëheq zyrën e veteranëve në Qeveri, thotë se as ligji i kaluar nuk u zbatua dhe sipas tij, veteranët nuk përfituan dhjetëra benefite që ua njihte ligji pikërisht pse ministritë nuk nxorën udhëzimet administrative që do t’i rregullonin ato, pavarësisht që kostoja nuk ishte e lartë.