Arbëri

Dy oda kundërshtojnë emërimin e një anëtari të Bordit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Emërimi i një anëtari në bordin për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore nga ana e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë ka përplasur këta të fundit mes vete.

Dy odat, ajo e farmacistëve të Kosovës dhe infermierëve, po thonë se në këtë bord u emërua Rrezart Haliti nga Oda e Mjekëve të Kosovës, pa miratimin e tyre, raporton KTV.

E për këtë çështje, ankesa për rishqyrtim të këtij vendimi tashmë i janë dërguar edhe Ministrit të Shëndetësisë.

Për më tepër, kreu i odës së infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi, po e konsideron si shkelje ligjore.

Derisa thotë se ai ende nuk është informuar as për mandatin e përfaqësuesit që u dërgua nga ana e Odës së mjekëve të Kosovës .

Por, të gjitha këto pretendime i ka mohuar kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Vendimi për emërimin e një përfaqësuesi të përbashkët sipas Sejdiut, u mor me shumicë të votave.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje të shkurtër me shkrim, ka thënë se përzgjedhja e përfaqësuesit nga Oda e Profesionistëve shëndetësorë, ka qenë krejtësisht ligjore .

“MSH-ja ka zhvilluar diskutime me të gjithë rreth përfaqësimit dhe, sipas nenit 28 në LSSH, një përfaqësues është nga (5) odat e profesionistëve shëndetësorë, ndërsa në këtë përbërje, ky përfaqësues vjen nga Oda e Mjekëve të Kosovës, që është krejtësisht ligjore, njëjtë sikur ky përfaqësues të vinte nga cilado odë e profesionistëve shëndetësorë”.

Ligji për Sigurime Shëndetësore parasheh që nga 8 anëtarët e bordit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, njëra nga pozitat i takon kryetarit ose përfaqësuesit të odës së Profesionistëve Shëndetësorë.