Arbëri

Marrëveshje që u siguron punë në sektorin privat 270 të rinjve

Agjencia e Punësimit në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, mbajtën ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në mes të përfituesve të programeve aktive të tregut të punës, me të cilën do të përfitojnë 270 punëkërkues.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se punësimi i të rinjve është brenga e MPMS dhe po punohet në shumë drejtime.

Sipas tij, po punojnë për përgatitjen e të rinjve për punë sezonale, por edhe për punë në ndërmarrje publike.

“Jemi zotuar që do përpiqem që të jemi bashkëpunues me sektorin privat, ngase me këtë përkushtim nuk do ta kemi nivelin e papunësisë siç është sot. Ne nuk do të ndalemi vetëm me këtë numër prej 270 për subvencionimin e pagave në punë dhe praktikë në punë”, tha Reçica, duke shtuar se janë të përkushtuar të zbatojnë programin për punësimi e një anëtari në një familje që nuk kanë asnjë të punësuar.

Alesandara Roccasalvo zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP, tha se ky numër prej 270, ndoshta nuk është i madh, por, sipas saj, është i efektshëm për familjet e tyre.

Gent Bakija nga ‘Uji i Rugova’ ka thënë se kjo kompani mbetet e përkushtuar në zbatimin e këtyre projekteve për punësim.

Teuta Berisha e cila ka gjetur punë si rrobaqepëse nga këta 270, inkurajon të rinjtë të regjistrohen në komunat e tyre për punëkërkues, në mënyrë që të gjejnë punë më lehtë.