Arbëri

Kozarev: Institucionet e Serbisë janë në Kosovë, po ndërtohet Lugina e Diellit

Në Këshillin për Kosovën në Kuvendin e Serbisë sot është folur për raportin e Punës të vitit 2017 të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Duke raportuar për të, zëvendësi i Marko Gjuriqit Dushan Kozarev, ka vlerësuar se vjet Serb ia ka dalë të ruajë institucionet e veta përkundër shumë presioneve nga Kosova, transmeton Koha.net.

"Të arriturat dhe suksesi më i madh i Serbisë në Kosovë në vitin 2017 është se Serbia ia doli t’i ruajë institucionet e veta përkundër se pati presione ndaj tyre", ka thënë Kozarev dhe ka shtuar se gjatë vitit të vjetëm Zyra ka ndërtuar dhjetëra objekte kishtare, ka ndihmuar 500 amvisëri bujqësore si dhe është punuar në mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe të njeriut.

Ai, siç përcjell portali kossev, duke folur për kthimin dhe mbetjen e serbëve në Kosovë, ka thënë se procesi është i vështirë dhe i kufizuar, ndërsa ka përkujtuar se po vazhdon projekti “Lugina e Diellit” për kthimin 300 familjeve.

Gjatë prezantimi të raportimit Kozarev ka folur edhe për Gazivodën. Ai ka thënë se Serbia po përpiqet tga mirëmbajë atë edhe pse Kosova shpesh kërcënon se do ta marrë nga Serbia.

Për Trepçën ka premtuar se do të pengohet marrja e saj nga Kosova ashtu siç është penguar edhe marrja e Brezovicës”.

“Logjika e Kosovës, me të cilën nuk pajtohemi, është se ajo mendon se të gjitha asetet në territorin e Kosovës pas vitit 1999 i takojnë asaj”, ka thënë Kozarev.