Arbëri

Konjufca: Nëse s’flasim për zgjedhje, s’kanë pse mbahen tryezat

Megjithëse PDK, AAK, Nisma dhe PSD, janë shprehur kundër që temë kyçe e tryezës së partive politike të thirrur nga VV-ja, të jetë konsensusi për zgjedhje të parakohshme, kjo e fundit insiston që kjo temë, duhet të jetë temë qendrore e tryezës.

Shefi i Grupit parlamentar të VV-së Glauk Konjufca tha për kp se tryezat kanë filluar me këtë qëllim dhe pastaj kjo ka devijuar në tryezën e PDK-së.

Por, Vetëvendosje sipas tij do ta rikthej këtë temë sërish në tryezë. Në të kundërtën nuk do të marrin fare pjesë në tryezat e tilla. Ndërsa thotë se duke parë pozicionimin e Qeverisë dhe pushtetit, nuk është shumë optimist, që do të arrihet pajtueshmëri lidhur me temën në fjalë.

“Tryeza megjithatë duhet ta ketë një epilog dhe nuk mund ta zvarrisim përgjithmonë. Atëherë pas kësaj tryeze të VV-së, nëse kemi pozicionime të njëjta dhe nëse tryezat janë jo produktive, unë konsideroj që nuk ka më arsye që të mbahen. Humb kuptimi i tyre.. Nëse ata nuk dëshirojnë të flasin për zgjedhje, atëherë beteja për zgjedhje do të bartet në Parlament të Kosovës, aty ku e ka vendin. Kështu që ne natyrisht beteja e vërtetë për ta quar vendin në zgjedhje, është në Parlament të Kosovës. Mirëpo ne nëse veç e vërtetojmë që këto tryeza nuk janë më produktive, atëherë nuk do të marrim pjesë as vet në të ardhmen. Me këtë ide ia kanë nis tryezat. Ideja kanë qenë zgjedhjet. Mos të kishte qenë zgjedhjet ideja, e thirrur nga tryeza e LDK-së, VV nuk do të kishte marrë pjesë fare. Por ne pikërisht pse kanë qenë zgjedhjet kemi marrë pjesë. Në tryezën e dytë u devijua tema nga PDK-ja. VV po or ganizon e treta dhe dëshiron të ia rikthejë temën kryesore tryezës që janë zgjedhjet. Kush nuk do me marrë pjesë, mos le të merr pjesë është puna e tyre”, tha Konjufca.

Ish kolegu i Konjufcës, Dardan Sejdiu të hënën ka thënë se tash nuk është koha për të diskutuar për zgjedhje të parakohshme.

Kjo sipas Sejdiut, Kosova ka shumë tema tjera me rëndësi. Ndërsa insistimi i VV- së që të diskutohet për zgjedhje të reja pa i pasur numrat, sipas Sejdiut , është oportunizëm dhe popullizëm.

Por për Konjufcën deklaratat e ish-kolegut të tij nga Vetëvendosje janë të kuptueshme, pasi që siç thotë ai partia pjesë e së cilës tash është Sejdiu, PSD, nuk është e gatshme dhe e përgatitur për zgjedhje. Konjufca thotë se partia pjesë e së cilës është, është plotësisht e përgatitur për zgjedhje edhe pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur, ku një pjesë e deputetëve të kësaj partie u larguan.

Madje thotë se zgjedhjet do të jenë ato, ku vota e popullit, do t’ua tregojë vendin të gjithë atyre, që u munduan ta dëmtojnë VV-në.

Në tryezën që VV e ka ftuar për të premten nuk dihet nëse do të marrin pjesë partitë në pozitë. PDK as të mërkurën nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Të hënën shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë për KosovaPress, se ata ende nuk kanë marrë ftesë zyrtare, për tryezën në fjalë dhe se nuk mund të përgjigjet saktë se si do të veprojnë, do të jenë pjesë e kësaj tryeze apo jo. Megjithatë thekson se qëllimi i tryezave të tilla, ka qenë arritja e një konsensusi të gjerë për temat e rëndësisë nacionale dhe jo të diskutohet për zgjedhje, për të cilat mendon që duhet të mbahen në afatin ligjor.