Arbëri

Haradinaj: Arbëreshët janë një vlerë e ruajtur jona që duhet ta çmojmë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me përfaqësuesit e arbëreshëve të këtushëm, me ç ‘rast vlerësoi lartë angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

Haradinaj tha se arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët.

"Kosova po i bashkohet familjes së popujve evropian dhe kjo i forcon edhe më shumë lidhjet tona shpirtërore dhe kombëtare", tha ai.

Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, kryeministri Haradinaj ftoi përfaqësuesit e organizatave kulturore arbëreshe që të vizitojnë sa më shpesh Kosovën.

“Për mua është një moment domethënës qëndrimi me ju sot. Ju e keni mbijetuar ndër shekuj identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane, të trashëguara që atëherë. Dëshiroj të ju them se ne ju çmojmë shumë”, tha Haradinaj në një bashkëbisedim me arbëreshët e Italisë por edhe kosovarë që prej kohësh jetojnë në Itali.

Kryeministri Haradinaj vizitoi edhe Kishen Katolike Abreshe Shën Thanasi dhe Kolegjin Grek ku u njoftua për së afërmi me vlerën historike dhe kulturore të këtyre dy monumenteve nga intelektuali arbëreshë Domenico Morelli.