Arbëri

Telekomi i Kosovës dhe Z-Mobile duan ta ruajnë partneritetin

Foto: Koha

Telekomi i Kosovës është duke u përpjekur të ruajë partneritetin me operatorin virutal, ZMobile, pasi ky i fundit ka paralajmëruar prishjen e marrëveshjes për ekzekutimin e vendimit final të Arbitrazhit, raporton KTV.

Marrëveshja parashihte që Vala të mos i jepte Z-Mobile rreth 30 milionë Eurot që e detyronte Arbitrazhi, në këmbim të ofrimit të disa shërbimeve për të, e mbi të gjitha 4G.

Bordi i drejtorëve të Tekekomit dhe menaxhmenti i tij kanë zhvilluar një takim me Z-Mobile, në të cilin janë themeluar grupet punuese për të tejkaluar krizën.

E kontaktuar nga KTV-ja, kryetarja e Bordit, Besa Shatri-Berisha, ka thënë se janë në diskutime e sipër për të arritur në përfundime të përbashkëta, por nuk ka specifikuar nëse do të jetë një marrëveshje e re apo do të vazhdojnë me marrëveshjen e nënshkruar më 24 maj të 2017-s.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe këshilltari ligjor në Dardafon.net, Valon Basha, i cili ndër të tjera ka theksuar se me kërkesën e Telekomit, palët po shikojnë modalitete për gjetjen e një zgjidhjeje për të ruajtur partneritetin. Kohavisioni ka siguruar korrespodencat e Dardafon.net me Bordin e Drejtorëve të Telekomit të Kosovës dhe me Komisionin ndërministror, ku Z-Mobile kishte ngritur shqetësimet për mosrespektimin e marrëveshjes për Ekzekutimin e vendimit final të Arbitrazhit. 3 herë kishte kërkuar ZMobile aktivizimin e licencave të 4G, numri i të cilave do të duhej të ishte rreth 40 mijë, pasi, sipas tyre, ato ishin të përcaktuara me vendimin e arbitrazhit dhe Marrëveshjen e 2017-s, e cila e obligonte Telekomin t’i zbatojë të gjitha dispozitat e kontratës së 2009-s. Arbitrazhi kishte vendosur në favor të Z-Mobile, pasi që Telekomi i Kosovës nuk kishte arritur t’i përmbahej kontratës më këtë operator virtual të nënshkruar në vitin 2009.