Arbëri

Kosova synon të jetë lidere në rajon për luftën kundër dhunës në familje

Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherësh Koordinatori Nacional Kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj, ka thënë se e ka parë të nevojshme krijimin e mekanizmave adekuatë në parandalimin e dhunës në familje, si nevojë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare kundër dhunës në familje.

Këtë deklaratë, Qelaj e ka thënë në një takim me Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.

Qelaj ka deklaruar se “mbeten të angazhuar në zgjidhjen e financimit të qëndrueshëm për strehimoret e viktimave, që vlerësohet si tejet me rëndësi për mbarëvajtjen e aktiviteteve kundër dhunës në familje, krijimin e data bazës për rastet e dhunës në familje si dhe krijimin e një mekanizmi për raportim periodik të dhunës në familje me qëllim të informimit të saktë dhe llogaridhënies”.

“Synim i angazhimeve të Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje është që deri në fund të vitit të plotësohen kriteret e Konventës së Stambollit, ashtu që Kosova të jetë lider në rajon në ketë aspekt”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë.

Në takim është diskutuar edhe për çështjen e kompensimit të viktimave të krimit dhe çështja e Drejtësisë Tranzicionale, për çka Qelaj po ashtu tha se si ministri janë të përkushtuar ta çojnë tutje. Ai ka thënë se MD është në proces të themelimit të një departamenti për Drejtësi Tranzicionale.