Arbëri

Kardiokirurgjia në funksion të plotë, sivjet hiqet lista e pritjes

Funksionalizimi 24-orësh i shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare ë Kosovës, ka bërë që vëllimi i punës të rritet dukshëm dhe të reduktohen listat e pritjes.

Sipas njoftimit nga QKUK-ja, në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive, këtë vit janë realizuar 890 koronarografi, 490 procedura intervente-stentime. Intervenimi është realizuar edhe tek 312 pacientë në fazën akute të infarktit të miokardit.

QKUK-ja thotë se nga 1052 pacientë që ishin në listën e pritjes për koronarografi, pas funksionalizimit 24-orësh, lista tani ka më pak se 500 pacientë, ndërkohë që prej javës së ardhshme pritet të nis të ftohen pacientët që kanë bërë terminet si raste jo emergjente gjatë vitit 2018. Ndërkohë, nga 102 pacientë që ishin në listë për stentim, tani janë në pritje 60 pacientë, sipas këtij njoftimi.

Në njoftim theksohet po ashtu se këtë vit janë kryer 80 operime, “ndërkohë nga fillimi i punës së menanxhmentit të ri, 100 operimet e para elektive (jo urgjente) pa vdekje, 0% mortalitet”.

Lista e pritjes nga 406 pacientë, me pritje nga viti 2015, është reduktuar, tani janë në pritje 120 pacientë, nga janari i këtij viti (2018).

QKUK-ja thotë se me punën e kryer në kardiokirurgji dhe kardiologjinë invazive janë kursyer 3 milionë euro që më parë shkonin për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike.

Sipas njoftimit, së shpejti do të bëhet hapja e sallës së dytë operative në kardiokirurgji, krahas edhe salla e dytë e mjekimit intensiv me katër shtretër, ndërsa theksohet se funksionalizimi i sallës së dytë të kateterizimit mund të bëhet brenda dy muajsh.

“Menaxhmenti po punon intensivisht që brenda këtij vitit të hiqet lista e pritjes për operime kardiokirurgjike, ashtu edhe për koronarografi e stentim”, thuhet në fund të njoftimit të QKUK-së.