Arbëri

Hoxha tregon disa nga rregullat e liberalizimit të vizave që kosovarët s’bën t’i shkelin

(20:59) Kur ka folur për liberalizimin e vizave, Hoxha ka thënë se deri në fund të vitit kosovarët mund të lëvizin pa viza.

Ajo ka thënë se beson se kosovarët do ta respektojnë lirinë e lëvizjes.

“Qytetarët tanë nuk duhet ta keqkuptojnë këtë, sepse liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune, mundësi studimi apo jete në BE”, ka thënë ajo.

Ministrja ka thënë se do të ketë edhe kampanjë vetëdijësuese, por ajo që duhet të dihet është se me liberalizim të vizave qytetarët kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Schengen 90 ditë brenda 6 muajsh.

“Pra brenda 6 muajve 90 ditë. Kam marrë pyetje se a mund të qëndrojnë njerëzit 90 ditë në Gjermani, 90 të tjera në Suedi, etj. Jo. Është fjala për 90 ditë brenda gjashtë muajve për zonën Schengen”, ka thënë ajo.

Në rast se keqpërdoret, Hoxha ka thënë se mund të suspendohet vendimi për viza.

“Unë nuk besoj që kjo do të ndodhë, sepse qytetarët tanë janë të përgjegjshëm. 96 për qind e atyre që kanë shkuar ilegalisht janë kthyer vullnetarisht”, ka thënë ajo.


Hoxha thotë se Kosovës i duhen reforma të thella në procesin e integrimit në BE

Ministrja e Ministrisë për Integrim Evropian, Dhurata Hoxha, ka qenë mysafire në emisionin “Puls” të KTV-së.

Ajo ka thënë se drejton një “ministri të vogël”, që ka 86 punëtorë, por me rol shumë të rëndësishëm.

Ajo ka folur për Samitin e Sofjes, për të cilën ka thënë se arritja më e madhe që kemi pasur nga ky Samit është se Kosova është përfaqësuar në mënyrë të barabartë.

Ka thënë se kryesisht mesazhet nga kancelaria Merkel, por edhe të liderëve të tjerë kanë qenë shumë inkurajuese.

“Se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën tashmë është realitet. Ajo ka hyrë edhe në strategjitë dhe dokumentet e tjera. Dhe kjo është një arritur e madhe. Ndoshta Serbia nuk është e interesuar që t’i jep zgjidhje të shpejt kësaj çështje, por për vendet e tjera ”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur për reformat që duhet ndërmarrë vendi për të marrë liberalizmin e vizave. Në radhë të parë ka folur për reformën e thellë që duhet ndërmarrë në administratë. Reformë tjetër është ajo për arsimin.

“Një Ligj për Arsimin e Lartë i cili na siguron se kemi një cilësi në arsimin e lartë që na garanton se do të prodhonim studentë që janë të gatshëm për të konkurruar në tregun e jashtëm”, ka thënë Hoxha, përcjell Koha.net. “Duhet të bëjmë më shumë në certifikimin e e profesioneve të ndryshme”, ka shtuar më tej.

Hoxha ka thënë se vendin e pret shumë punë edhe në sistemin e drejtësisë.

“Ta përmendi sektorin e drejtësisë dhe gjykatave, për të cilën kemi shumë punë”, ka thënë ajo.

Kosova është në pozitë shumë më të mirë se sa vendet e rajonit.