Arbëri

MTI-ja shkel afatet ligjore për licencimin e kompanive importuese të duhanit

Prej dy muaj e gjysmë njëra nga kompanitë më të mëdha për import dhe shitje të duhanit ka pezulluar punën.

Që nga 13 shkurti i këtij viti kompania kishte deponuar kërkesën në Ministrin e Tregtisë për rilicencim, por deri tani kur kanë kaluar të gjitha afatet e përcaktuara me ligj, nuk kanë marrë asnjë përgjigje, raporton KTV.

Kjo ua ka pamundësuar importin, duke u shkaktuar dëme financiare për periudhën mars- maj në vlerë prej 2.5 milionë eurove.

Sipas udhëzimit administrativ, që përcakton kushtet dhe kriteret për kompanitë që merren me tregti të duhanit, Komisioni ka afat 30 ditë për vlerësim, derisa ministri në afatin prej 10 ditësh nënshkruan vendimin e Komisionit.

Kohavision ka provuar të marrë një përgjigje nga ministri, Bajram Hasani dhe Komisioni përgjegjës, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.