Arbëri

VV kërkon largimin e Thaçit dhe Tahirit nga bisedimet me Serbinë

Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar një plan 5-pikësh, që thonë se është zgjidhja e vetme për të arritur te marrëveshja finale e dialogut me Serbinë.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka theksuar se Kosovës i nevojitet pajtueshmëri shoqërore e nacionale për temat dhe parimet e këtij procesi, raporton KTV.

Kurti ka theksuar se si udhëheqës për pajtimin shoqëror nuk mund të jenë Hashim Thaçi e Edita Tahiri, të cilët i ka fajësuar se dialogut mund t’ia japin një çerekfinale, por jo finale të madhe.

Kryetari i Vetëvendosjes ka folur edhe për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj, për çka ka thënë se ai nuk ka qenë asnjëherë vërtet kryeministër, pos që e ka ushtruar atë pozitë.

Të premten do të jetë tryeza e tretë e organizuar nga subjektet politike në vend në tentimin për të gjetur konsensus për temat e mëdha.

Vetëvendosje, e cila do të jetë nikoqire e kësaj tryeze, pret që të gjitha partitë politike t’i përgjigjen ftesës së saj, ku thotë se do të diskutohet për zgjedhje të parakohshme.