Prestreshi: Homologimi dhe barnat, shkeljet më të mëdha të konkurrencës në Kosovë

Prestreshi: Homologimi dhe barnat, shkeljet më të mëdha të konkurrencës në Kosovë

21 maj 2018 17:49

Valon Pretreshi, kryetar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ka thënë se homologimi dhe barnat janë dy shkeljet më të mëdha të ligjit për konkurrencë të lirë në Kosovë.

Sipas tij, homologimi është monopoli më i pastër që është në Kosovë. Prestreshi në Express Intervistën në KTV ka thënë se kompania EuroLab ka fituar nga ky proces për dhjetë vjet duke shërbyer si e vetme për homologim.

“Draftudhëzimi ka qenë në diskutim vitin e kaluar. Si autoritet e kemi analizuar rastin dhe ia kemi dhënë mendimin tonë Ministrisë së Infrastrukturës në dhjetor të vitit të shkuar dhe katër muaj kanë heshtur deri në momentin kur një nga gazetarët na ka njoftuar se ky udhëzim është nënshkruar e është publikuar. Aty kemi pa se asnjë rekomandim i joni s’është marrë për bazë. Kemi kontaktuar ministrinë. E kam autorizuar zëvendësin tim të zhvillojë biseda, por ministri Lekaj ka agjendë të ngjeshur dhe shpresoj që këtë javë të harmonizojmë qëndrimet”, ka thënë Prestreshi duke shtuar se kanë pasur ankesa për nenet ku ministria apelon në numrin njëjës të ndërmarrjeve, që i mundëson të fitojnë rastin në gjykatë dhe nenet ku përcaktohet çmimi nga vetë ministria e që duhet të bëhet nga tregu i lirë.

“Më 2009 është nënshkruar kjo kontratë për dhënien e veprimtarisë kompanisë EuroLab dhe kjo kontratë, sipas nesh, nga rrafshi i konkurrencës në asnjë mënyrë s’ka abuzuar me pozitën e vet sepse e ka pasur të përcaktuar nga ministria, që e ka bërë një monopol. Ka vendosur ajo qeveri të ketë monopol në atë shërbim. Ka ardhur ligji i ri që ka thënë të kemi më shumë konkurrentë, dhe u kemi rekomanduar ministrisë që ta hapë tregun dhe të ketë më shumë konkurrentë në ofrimin e këtyre shërbimeve. Kam shpresë se gjatë kësaj jave do të zhvillojmë takime me ministrin Lekaj dhe do t’i harmonizojmë qëndrimet. Mendoj se Lekaj s’ka qenë i informuar drejt dhe për këtë e ka nënshkruar këtë udhëzim administrativ. Çmimi është i përcaktuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Transportit të asaj kohe. Në rajon Mali i Zi i ka pesë kompani që ushtrojnë këtë veprimtari. Shqipëria nuk ka homologim. Maqedonia i ka tri”, ka treguar Prestreshi.

Ai ka thënë po ashtu se nëse nuk merren vesh me Lekajn për korrigjim të udhëzimit, atëherë do të shohin mundësitë që ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese. “Kushtetuta e përcakton tregun e lirë. E kemi bazën veç duhet të presim mendimin e Avokatit të Popullit”, është shprehur ai.

Sa i përket rritjes së çmimit të barit Imantinib, që përdoret kundër leukemisë, Prestreshi ka thënë se kanë gjetur se bëhet fjalë për një koordinim të fshehtë për rritjen e çmimit.

“Vitin e kaluar, ministri i Shëndetësisë e ka ngritur këtë çështje. E kemi të drejtën ligjore të nisim punën dhe menjëherë i kemi autorizuar inspektorët hetues që të merren me këtë çështje. Pasi që kemi marrë informata se ka bazë për hulumtim, kemi ngrit procedurë hetimore para dy jave. Kemi kërkuar nga ndërmarrjet publike të na japin informatat. Dyshimet e autoritetit janë se ndërmarrjet kanë lidhur marrëveshje joligjore ose janë koordinuar në mënyrë të fshehtë për rritjen e çmimit. Media kanë raportuar, por edhe ne e kemi parë se Imatinib është tenderuar në ofertë për 300 për qind më shumë se tregu i lirë. I kemi angazhuar hetuesit të hetojnë edhe barnatoret. Aty shitet 9 euro, ndërsa ministrisë iu është ofruar 24 euro një kapsulë, më 2016 iu kishte ofruar për 32 euro. Kemi marrëveshje ndër vite të konkurrentëve që janë marrë vesh siç e themi ne për rotacion në kurdisje të tenderëve”, ka thënë ai.

Sipas Prestreshit, nëse thirren palët në seancë dëgjimore dhe merret vendimi sanksionues, atëherë dhjetë për qind e totalit të qarkullimit vjetor të kompanive është gjoba ndaj këtyre shkelësve. Ai ka thënë se ky autoritet ka gjobat më të larta në vend. “Kurdisja është edhe vepër penale dhe ka mundësi që të ndiqet edhe penalisht, ndaj personit nënshkrues”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme