Sejdiu – VV-së: Kërkesa për zgjedhje pa i pas numrat është oportunizëm e populizëm

Sejdiu – VV-së: Kërkesa për zgjedhje pa i pas numrat është oportunizëm e populizëm

21 maj 2018 17:47

Deputeti Dardan Sejdiu, ish-anëtar i Vetëvendosjes e tash shef i grupit të deputetëve që lanë këtë parti, ka hedhur akuza për oportunizëm e populizëm ndaj kreut të LVV-së, Albin Kurti.

Duke folur në emër të Partisë Socialdemokrate, ai ka thënë se diskutimi për shkuarjen në zgjedhje të reja pa i pasur numrat është oportunizëm dhe popullizëm. Ka thënë kështu kur është pyetur nga Kosovapress nëse kjo parti do të marrë pjesë në tryezën që Vetëvendosje po e thërret për të premten, e në të cilën propozon që të diskutohet për datën e zgjedhjeve.

Sejdiu ka thënë se partia e tij e re do të shkojë në tryezë, por nuk është dakord që në këtë tryezë të diskutohet për zgjedhje.

“Ne si Parti Socialdemokrate e kemi shprehur qëndrimin tonë, që do të jemi në secilën tryezë ku ftohemi. Në këtë moment që po flasim ne ende nuk kemi ftesë. Kemi deklarime publike të zyrtarëve të VV-së. Por në momentin që ta kemi ftesën do ta shohim dhe agjendën, rendin e ditës dhe do ta trajtojmë në kuadër të partisë dhe me gjasë do të jemi pjesë e asaj tryeze”, ka thënë Sejdiu.

“Konsensus sa i përket zgjedhjeve me një Qeveri, e cila nuk do zgjedhje, nuk mund të ketë. Dhe thjeshtë duhet të ikim prej këtyre temave populliste, të trajtimit të opsionit të zgjedhjeve. Në momentin që janë numrat, atëherë dhe niset mocioni dhe përfundojmë me rrëzim të qeverisë. Përderisa nuk ka numra, çdo trajtim i kësaj teme është veçse mundësi dhe potencial për të ikur prej temave si p.sh., temat që mund t’i rregullojmë me Kuvend... Jemi për, kjo qeveri çdo ditë tregon se nuk është duke e bërë punën që duhet bërë. Por a jemi për të qëndruar në këtë diskutim pa i pasur numrat, mendoj që kjo është edhe oportunizëm edhe popullizëm”, thotë Sejdiu.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme