Arbëri

Shkeljet në tender e shtyjnë për dy vjet furnizimin e KEK-ut me klimë industriale

Descriptive Text

Ka më shumë se dy vjet që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk po mund ta përmbyllë procesin e prokurimit për furnizim me klimë industriale.

Zyra e Prokurimit e KEK-ut ka vlerësuar se të gjithë operatorët ekonomikë që kanë qenë pjesë e tenderit ishin të papërgjegjshëm, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kompania që është eliminuar nga tenderi “Primus Engineering” po e akuzon KEK-un për parregullsi gjatë procesit të tenderit, ndërsa ka paralajmëruar se nëse edhe këtë herë Organi Shqyrtues i Prokurimit vendos që ta dërgojë lëndën në rivlerësim do t’i drejtohen Prokurorisë.

Të njëjtën e kanë thënë edhe në KEK. Në një përgjigje për gazetën, kjo korporatë ka bërë të ditur se pas vendimit të OSHP-së lënda do të dërgohet në Prokurori, pasi dyshon se ka pasur indikacione që specifikimet teknike të këtij tenderi janë munduar t’i përshtaten një prodhuesi të caktuar, duke aluduar në prodhuesin e pajisjeve të kompanisë “Primus Engineering”.

Sipas KEK-ut, edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mundur të “bjerë në lajthitje nga ekspertiza e ekspertëve shqyrtues”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)