Arbëri

Mbi 20 mijë lëndë në Gjykata janë parashkruar, dyshohet se disa prej tyre u harruan me qëllim

Mbi 20 mijë lëndë të profileve të ndryshme nuk kanë arritur asnjëherë të zgjidhen me drejtësi. Ato janë parashkruar pasi sistemi i drejtësisë nuk ka arritur t’i gjykojë apo hallkat tjera kanë dështuar kapjen e kryerësve të këtyre veprave.

Në mesin e gjithë këtij grumbulli lëndësh të gjykuara apo të “harruara” është edhe ajo për ish-kreun e Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili pavarësisht që u gjet fajtor për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, jetoi i qetë në Suedi deri në ditën kur lënda e tij pushoi, raporton KTV.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se nga monitorimi i procesit gjyqësor për korrupsion rezulton se rastet e profilit të larte amnistohen në forma të ndryshme legale.

Për Musliun, arsyet për parashkrimin e lëndëve, sidomos të atyre që prekin politikanët, janë tipike korruptive.

Shoqëria Civile thotë se përgjegjësia në rastin konkret të Xhabir Zharkut por edhe në rastet tjera, si të Leme Xhemës e të arratisurve të tjerë, është e gjithë zinxhirit që kap policinë e deri te gjyqësori.

Ata janë të mendimit se qëllimshëm bëhen shumë “fizkultura juridike” nga gjykatësit në mënyrë që t’i mundësohet ikjes së vuajtjes së dënimit për krimin e kryer.

Me ndryshimet që parashihen të bëhen në Kodin Penal të Kosovës parashihet edhe zgjatja e parashkrimit të ekzekutimit të dënimeve.

Kuota e parashkrimit të dënimit me burgim prej 3 vjetësh do të rritet nga 5 në 10 vjet, vepra penale e dënuar me 5 vjet nuk do të mund të parashkruhet pa u bërë trefishi i saj - 15 vjet.

Kur dënimi është i përjetshëm, parashkrimi i ekzekutimit të tij mund të bëhet pas 30 vjetësh.

Kodi i ri Penal parasheh po ashtu edhe rritjen e kohës së parashkrimit për dënimet me burgim 1 vit që do të jetë 6 vjet, derisa dënimi me kusht prej 1 viti nuk do të mund të parashkruhet pa u bërë 4 vjet.

Të njëjtat kohë janë përcaktuar edhe për parashkrimin e ndjekjes penale.