Arbëri

Zvarritja e tenderit vonon ndërtimin e spitalit të pediatrisë, donacion 22 milionësh

Në vazhdimësi flitet për përmirësim të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, por zyrtarët institucionalë në realitet nuk i marrin seriozisht projektet që mund të bëjnë ndryshime, madje as kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve.

22 milionë euro është donacioni që Emiratet e Bashkuara Arabe i ndanë për të ndërtuar spitalin universitar të fëmijëve, por ndërtimi i të cilit do të vonojë të nisë për tre muaj, për shkak të neglizhencës së institucioneve vendore, raporton KTV.

Kjo pasi Ministria e Shëndetësisë u vonua të përgatisë terrenin ku do të ndërtohet ai, pavarësisht se kishte marrë përgjegjësi se do ta përfundojë këtë punë.

Përveç profesionistëve, Ministrinë e Shëndetësisë e quan të papërgjegjshme edhe shoqëria civile.

Sipas Nexhmi Hysenit, kirurg i fëmijëve, ky projekt do të lehtësonte punën, meqë aty do të jenë të përfshira pothuajse të gjitha shërbimet e dedikuara për fëmijë.

Ky objekt do të lidhet me klinikën e pediatrisë dhe atë të neonatologjisë.

Sipas marrëveshjes, donatori do të shpallë tender ndërkombëtar për ndërtimin e objektit.

KTV-ja ka raportuar muaj më parë se agjencia kundër korrupsionit kishte tërhequr vërejtjen se MSH-ja ka bërë shkelje ligjore që në fazën fillestare, kur kishte shpallur tender për përgatitjen e hapësirës, ku do të ndërtohet ky spital.

Ndërkohë, i njëjti institucion, derisa ishte në proces për të lidhur kontratën me operatorin që do të kryejë punimet, kishte shpallur një tjetër tender për të mbikëqyrur realizimin e tenderit paraprak në vlerë prej 7 mijë eurosh.


Zvarritja e tenderit vonon ndërtimin e spitalit... by kohanet