Arbëri

Diaspora në Prizren: Mos na shihni vetëm si xhep por edhe si potencial intelektual

Descriptive Text

Konferenca katërditore “Diaspora Flet”, që po zhvillohet këto ditë në Kosovë, sot realizoi aktivitetin e saj të fundit, përbrenda të cilit u realizua udhëtim i shumë pjesëmarrësve profesionistë nga diaspora në tri komuna të Kosovës, atë të Mitrovicës, Prizrenit dhe Kamenicës.

Në Komunën e Prizrenit, afro 20 pjesëmarrës të konferencës u pritën në takim nga kryetari i komunës Mytaher Haskuka dhe deputetja në Parlamentin e Kosovës nga Prizreni, Drita Millaku.

Sipas njoftimit për media, gjatë takimit diku 2 orësh, pjesëmarrësit nga diaspora dhe kryetari i Prizrenit shkëmbyen ide, projekte konkrete për fusha të ndryshme bashkëpunimi në mes tyre, por edhe shprehen shqetësimet e tyre në lidhje me procedurat burokratike që institucionet vënë para investuesve të jashtëm.

Përfaqësues nga diaspora kërkuan nga Haskuka që të punojë në drejtim të ofrimit të të drejtave për diasporën dhe t’u ofrojë atyre mundësi për të investuar ngase vendet ku jetojnë ka interesim për këtë.

Hilmi Gashi, që kryesoi grupin e diasporës, dhe është po ashtu anëtar i Task Forcës së Germin nga Zvicra tha se diaspora ka potencial për të kontribuuar dhe kjo është dëshmuar edhe gjatë katër ditëve të konferencës “Diaspora Flet”.

“Mos na shihni vetëm si xhep por edhe si potencial intelektual dhe na jepni të drejtën të votojmë e të bëhemi edhe kontribuues”, tha Gashi.

Kryetari Haskuka ndërkaq njoftoi përfaqësuesit e diasporës për projektet industriale dhe projekte tjera që Prizreni po punon të implementojë dhe ku ai sheh mundësi për bashkëpunim me diasporën.

“Në janar vitit të ardhshëm do të hapet edhe parku gjermano-kosovar për inovacion e ku ka 40 hektarë tokë e diku 40-50 ndërtesa që do të hynë në punë Prizrenit për zhvillimin ekonomik”, tregoi Haskuka në mes tjerash, duke përmendur se Prizreni ka nevojë për ekspertizën e diasporës.

Në këtë drejtim Mark Culaj, Inxhinier i Elektronikës, i cili është kthyer nga Italia në Kosovë, i ofrojë kryetarit ekspertizë falas për pesë projekte industriale.

Tutje, Skënder Perpepaj, biznesmen nga diaspora, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar, theksoj rëndësinë e rolit të diasporës në hapjen e tregut në botë për produktet vendore. “Ne si diasporë jemi të gatshëm të kontribuojmë në projekte konkrete, veçanërisht në promovimin dhe hapjen e mundësive për produkte vendore në tregjet e vendeve ku ne jetojmë”, tha ai.

Gjatë diskutimit u bisedua po ashtu për projekte që lidhen me avancimin e pozitës së gruas në Prizren, shkollimin e të rinjve, binjakëzimin me qytete tjera në botë si dhe projekte për kategoritë e grupeve shoqërore të cenueshme si të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar.

Përveç komunës së Prizrenit, në ditën e katërt të konferencës, grupe me përfaqësues të profesionistëve nga diaspora shqiptare, po takojnë edhe kryetarët e dy komunanve tjera të Kosovës, Qëndron Kastratin kryetarin e Kamenicës dhe Agim Bahtirin kryetarin e Mitrovicës.

Ndryshe, konferenca Diaspor Flet organizohet nga organizata jo-qeveritare GERMIN, në kuadër nismës për Dialogun e Strukturuar për të Drejtat e Diasporës.