Arbëri

BE-ja ia përsërit Serbisë se anëtarësimi në BE bëhet vetëm përmes Kosovës

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, ka deklaruar se Kosova është elementi kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën dhe përparimi në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dy shtytësit kryesorë për hyrjen e Serbisë në BE. Sigurisht, Kosova është elementi kyç”, ka thënë Fabrizi në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, që do të botohet të dielën, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se BE-ja e ka bërë të qartë se sa e rëndësishme është kjo dhe se pikërisht për këtë është duke ofruar “shërbime të mira” në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

I pyetur nëse Serbia do të duhet t’i thotë “po” pavarësisë së Kosovës, ai ka thënë se BE-ja ka qasje neutrale ndaj statusit dhe se nevojitet normalizim i plotë i raporteve mes dy vendeve, në formën e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese.

“Përmes dialogut, BE-ja sjell shërbime të mira që të arrihet deri tek ky qëllim”, shtoi ai.

Fabrizi ka shtuar se formati i dialogut nuk do të ndryshojë dhe se edhe më tutje do të jetë e përfshirë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.