Arbëri

Kërkohet shfrytëzimi i potencialit intelektual të diasporës

Integrimi i diasporës, roli i saj në zhvillimin socio-ekonomik dhe përfshirja e këtij potenciali njerëzor në qytetet shqiptare, ishin tema diskutimi në ditën e dytë të konferencës “Diaspora flet”.

Aty u tha se përpos remitencave që në Kosovë, kalojnë shifrën e 600 milionë eurove në vit, duhet të shfrytëzohen resurset njerëzore të diasporës, raporton KTV.

Duke folur potencialin e rinisë në diasporë, nënkryetari i Tiranës, Andi Seferi, ka thënë se ata kanë prioritet sjelljen e kuadrove që kanë studiuar jashtë vendit.

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se është shqetësuese ikja e kuadrove të shkolluar nga Kosova, veçmas atyre të mjekësisë në Gjermani.

Integrimi, sjellja e përvojës dhe besimit për ndryshim në Kosovë, janë të rëndësishme, sipas Shpresa Lloshajt, Këshilltare e Politikave në Departamentin e Inovacionit, Shkencës dhe Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kanadasë.

Eksperti i qeverisjes lokale, Besnik Tahiri, tha se për të shfrytëzuar potencialin njerëzor të diasporës duhet të bëhet lidhja e munguar me shtetin.

Bashkatdhetarët kërkuan angazhim të kuadrove në qeverisjen lokale dhe atë qendrore si dhe përfshirjen e tyre në ambasadat e Kosovës në vendet ku ata jetojnë.

Më të pakënaqur me punën e institucioneve u shfaqën diaspora e Shqipërisë, të cilët thanë se shteti amë nuk ka bërë projekte konkrete për ta.