Arbëri

Aktakuzë ndaj Lushtakut, Gashit, Shalës e të tjerëve për gjuajtje me armë në odën e Limajt

Foto: Koha

Dardan Gashi, Sami Lushtaku dhe Endrit Shala janë vetëm tre nga njerëzit që po akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve pasi ishin parë në një video teksa festonin në odën e Fatmir Limajt.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë për mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve ndaj Ministrit të Diasporës, Dardan Gashi së bashku me pesë persona të tjerë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Prokurori Ismet Tofaj i cili tregoi se aktakuza është ngritur edhe ndaj Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës.

“Është ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, gjashtë personave që janë parë duke gjujt. Është Dardan Gashi, Sami Lushtaku, Endrit Shala. Aktakuza është mbajtje nën kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”, tha Tofaj.

Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, kishte mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës fundit e vitit që lamë pas për të gostitur ata, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Me sofra të shtruara e me muzikë nga folklori shqiptar, të ftuarit kanë festuar së bashku.

Por siç shpesh në vendin tonë, atmosfera nuk ndizet pa të shtëna armësh. Dhe këta burra, disa prej të cilëve janë figura të larta në skenën politike, me radhë gjuajnë nga dritarja.

I ulur këmbëkryq në odën e Limajt, Sami Lushtaku nuk e merr mundin as të ngrihet në këmbë. Ai nxjerr armën dhe shtie diku jashtë, pa pasur idenë ku mund të bjerë ai plumb.

Pas tij, ngrihet të festojë me armë ish-këshilltari i Fatmir Limajt, Endrit Shala, i cili po ashtu ishte i akuzuar në grupin e MTPT-së dhe i liruar nga akuzat.

Dhe për fund, është ministri i Diasporës Dardan Gashi, i cili del në dritare dhe zbraz rafalin.

Ajo që dallohet në këtë video, është fakti se asnjëri nuk gjuan me armën e njëjtë, rrjedhimisht, në këtë odë ka disa armë.

Ndër të tjera, dëgjohet një zë në sfond e ngjan të jetë zë i një të mituri që po festonte bashkë me burra në odë.

I kontaktuar nga KTV-ja, ministri Dardan Gashi ka pranuar se ka shtënë me armë në një festë familjare siç e ka quajtur ai, diku në një shtëpi, pa treguar ku është ajo shtëpi dhe kohën kur ka ndodhur.

KTV-ja ka kontaktuar edhe Endrit Shalën, por ai nuk ka dashur ta komentojë rastin.

Ndërkohë, Sami Lushtaku, i cili po ashtu u lirua nga akuzat për krime lufte muaj më parë, i ka thënë KTV-së nëpërmjet telefonit se ka gjuajtur me një armë joreale, armë gazi.

Lushtaku ka thënë se 10 persona kanë gjuajtur me një armë, megjithëse në video shihet se secili gjuan me armën e vet.

Policia e Kosovës kishte thënë se për rastin ishte njoftuar atëherë nga KTV-ja dhe se çdo informacion të çfarëdo natyre që e pranon, e trajton bazuar në procedurat ligjore, andaj menjëherë kishin nisur procedurat në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe varësisht nga hetimet, do të ndërmerreshin të gjitha masat në lidhje me hetimin e ngjarjes.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me qeverinë dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, vazhdimisht lansojnë fushata, ku u bëhet thirrje qytetarëve që të festojnë pa armë.

Shpeshherë në Kosovë janë shënuar incidente nga plumbat qorr.