Arbëri

Policitë e rajonit pajtohen për të luftuar bashkë terrorizmin e krimin e organizuar

Descriptive Text

Përfundoi konferenca dy ditore rajonale me drejtuesit e policive të shteteve rajonale e cila u mbajt në Kosovë

Prishtinë, 18 maj - Konferenca rajonale dyditore (17-18 maj), e cila ishte organizuar nga Policia e Kosovës, e ndihmuar nga Misioni i EULEX-it, në të cilën morën pjesë drejtorët e policive të shteteve rajonale, të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë, përfundoi sot në orët e pasditës.

Gjatë kësaj konference, e cila u vlerësua mjaft e suksesshme, krerët e policive të shteteve pjesëmarrëse diskutuan dhe paraqitën vlerësime, të cilat u cilësuan si mjaft të dobishme dhe të rëndësishme për pjesëmarrësit.

Të pranishmit u dakorduan për nevojën e intensifikimit të komunikimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme policore, që kanë për qëllim luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Në mbylljes së kësaj konference ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të policive rajonale nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia dhe Sllovenia. Po ashtu vlerësoi kontributin e diskutuesve për çështjet që kanë të bëjnë me kërcënimet trans-nacionale dhe si mund kjo të ndikojë në stabilitetin rajonal. Ai rikujtoi se kemi dëgjuar katër folës të ftuar, të cilët kanë ofruar perspektiva të ndryshme për fenomenin e kërcënimeve trans-nacionale, që kanë përfshirë fusha tematike të ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm dhe ndikimi i rrjeteve të krimit të organizuar trans-nacional.

Të gjitha delegacionet e konferencës, kanë arritur në përfundim që ne duhet të përpiqemi të rrisim bashkëpunimet ekzistuese brenda rajonit. Vetëm duke miratuar një qasje të partneritetit rajonal mund të trajtojmë sfidat me të cilat përballemi si rajon. Jemi përqendruar në rëndësinë e bashkëpunimit strategjik, që do të çojë në një punë efektive operative për të mirën dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve tanë.

Konferenca u ka ofruar një mundësi përfaqësuesve të lartë të agjencive policore të rajonit që të takohen dhe të diskutojnë këtë fushë shumë të rëndësishme të punës.

Policia e Kosovës është shumë e kënaqur që ka qenë nikoqire e Konferencës së Dytë Rajonale të Shefave të Policisë dhe falënderon kolegët që iu bashkëngjitën konferencës, e cila ka qenë jashtëzakonisht e dobishme. Të gjitha delegacionet e pranishme shpresojnë që ky forum të vazhdojë dhe që partnerët e tjerë rajonalë, të cilët nuk ishin të pranishëm në këtë rast, të jenë të pranishëm në ndonjë konferencë të ardhshme.

{gallery}