Pas Zarës, hapja e Katedrës së Gjuhës Shqipe pritet edhe në Zagreb

Pas Zarës, hapja e Katedrës së Gjuhës Shqipe pritet edhe në Zagreb

18 maj 2018 13:02

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, me të cilën bisedoi për mësimin e gjuhës kroate në Kosovë dhe gjuhës shqipe në Kroaci, e cila parashihet edhe në Memorandumin e Mirëkuptimit të vitit 2013, transmeton Koha.net.

Sipas kumtesës, nga MASHT Bytyqi dhe ambasadorja u dakorduan që të angazhohen në krijimin e mundësive për angazhimin e një bashkëpunëtori të jashtëm të gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit dhe një bashkëpunëtori apo ligjëruesi të gjuhës kroate në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Ai theksoi se “është me shumë me rëndësi që t’iu mundësojmë të rinjve në Kosovë dhe Kroaci të mësojnë gjuhët përkatëse dhe se në këtë kontekst do të bisedohet më konkretisht me menaxhmentin e Universitetin e Prishtinës për konkretizimin e Memorandumit.

Ndërsa, ambasadorja Kapitanoviq e njoftoi ministrin Bytyqi se në vitin e kaluar është hapur Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Zarës dhe po punohet që kjo të ndodh edhe në Universitetin e Zagrebit ku jeton një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, ndërsa insistoi që edhe Kosova nga ana e saj të marrë përsipër angazhimet reciproke në këtë drejtim.

Ministri Bytyqi dhe ambasadorja Kapitanoviq u pajtuan se mësimi reciprok i gjuhëve reciproke është në interes të thellimit të bashkëpunimit edhe në rrafshin ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme