Arbëri

Kosova prezanton harmonizimin e të dhënave hapësinore me ato të BE-së

Në qytetin Leuven të Belgjikës po mbahet Asambleja e jashtëzakonshme vjetore e“Eurogeographics”, një trup që përbëhet nga të gjitha autoritetet për kadastër, pronë dhe hartografi në shtetet e Evropës, ku si anëtare e barabartë është edhe Republika e Kosovës dhe përfaqësohet përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Kryefjala e aktiviteteve në këtë asamble do të bie mbi politikat e reja zhvillimore që do të rezultojnë me të dhënat të hapura, me shfrytëzimin të produkteve përmes qasjes së shpejtë dhe të saktë. Po ashtu, në këtë Asamble është shtruar edhe kërkesa që institucionet e BE-së të harmonizojnë mes vete të gjitha bazat e të dhënave.

Prof. Dr. Murat Meha, që merr pjesë në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në këtë asamble pritet të prezantojë të arriturat e Agjencisë në fushën e administrimit të tokës, sistemet për administrimin e kadastrës e regjistrave pronësorë, infrastrukturën shtetërore të të dhënave hapësinore dhe harmonizimin e të dhënave hapësinore me ato të shteteve anëtare të BE-së, sfidat me të cilat Agjencia ballafaqohet si dhe vizionin e AKK për të ardhmen.

Edhe shkëmbimi i informacioneve dhe përvojave mes përfaqësuesve të shteteve të ndryshme do të jetë e interesit të veçantë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës.