Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e ka quajtur joserioze qasjen e LDK-së për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Sipas saj, kjo parti po funksionon me një këmbë në opozitë e me një këmbë në pozitë.
“Konsiderojmë se duhet të ketë mobilizim të opozitës për të rrëzuar qeverinë. Duhet që qeveria e tillë të rrëzohet. Po na befason qëndrimi i LDK-së, që po ndryshon përditë. Qasja e LDK-së karshi rrëzimit të qeverisë ishte joserioze. Fillimisht kërkesa për qeveri teknike, pastaj zgjedhje të jashtëzakonshme, pastaj jo s’jemi për rrëzim, por të merremi vesh të gjithë për datën e zgjedhjeve. S’ka pas konsistencë qëndrimesh dhe është dukur për konsum publik, se përnjëmend që ka pas nevojë të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Haxhiu në Express Intervistën në KTV.
Haxhiu ka thënë se LDK-ja duhet të veprojë si opozitë edhe në Kuvend dhe të mos “lëshojë pe si në rastin e demarkacionit, kur gjatë qeverisë Mustafa e kundërshtonin, ndërsa tash e dhanë votuan marrëveshjen që falë territor”.
Sipas Haxhiut, platforma e qeverisë për pjesën finale të dialogut me Serbinë është shkresë e pamenduar mirë, joserioze dhe me shumë probleme si dokument.
Ajo ka thënë se Kosova fillimisht duhet të ketë dialog të brendshëm dhe të mos lejohet që presidenti Hashim Thaçi t’u prijë bisedimeve.
“Vetëvendosje do të kontribuojë për konsensus politik në raport me negociatat. Mund të kemi dallime në aspektet tjera, por në raport me negociatat apo Serbinë duhet të kemi një qëndrim. Kemi konsideruar se edhe debati që do të bëhet në Kuvend do të shtrohet në këtë drejtim. Të vlerësohet secila marrëveshje, përfshirë ‘Zajednica’, pastaj dialog me të gjithë e më pas të dalë konsensus politik për dialogun. Në vazhdimësi është lëshuar pe, zakonisht përfaqësuesit kanë qenë njerëz me njerëz që s’kanë pasur të kaluar të pastër dhe ka ekzistuar shantazhi. Ekipi që ka përfaqësuar Kosovën ka qenë tërësisht i papërgatitur. I kemi akoma imazhet ku shihen pa asnjë dokument përpara. Askush akoma s’ka dhënë llogari deri tash”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, Hashim Thaçi është figurë përçarëse dhe është “përgjegjësi kryesor për degradimin e Kosovës”.
“S’ka të kaluar të pastër, figurë përçarëse dhe nuk mendojmë që ai duhet të përfaqësojë Kosovën. Në vazhdimësi kemi kritikuar edhe qasjen e BE-së për këto negociatat. Edhe kritikat në drejtim të BE-së kanë qenë se s’ishte i drejtë në raport me Kosovën. Nuk na duhen njerëz që janë lehtësisht të shantazhueshëm. Na duhen njerëz që njëmend e mbrojnë interesin e Kosovës dhe nuk lejojnë bosnjëzimin e Kosovës. Faji është mbi Thaçin”, është shprehur më tej Haxhiu.
Ajo ka ripërsëritur kërkesën që ish-deputetja e Vetëvendosjes Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit, të largohet nga kjo pozitë pasi tash është pjesë e PSD-së. Sipas saj, në këtë proces ka zvarritje të madhe edhe nga PDK-ja dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
-
14 maj 2018 19:49
-
Shpërndaje në: