Arbëri

Hoti: Qeveria s’ka legjitimitet për të vazhduar

Descriptive Text

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se koalicioni ka humbur shumicën parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ka logjikë të shëndosh që partitë opozitare të bëjnë opozitë normale, pasi që vet funksionimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje.

Ai në tryezën e LDK-së me organizatat joqeveritare, ka thënë se qëllimi i kësaj tryeze është të diskutojnë për sfidat me të cilat po përballet Kuvendi në realizimin e mandatit.

“Kjo legjislaturë ka trajtuar çështje sfiduese që ka lëkundur stabilitetin institucional. Janë dërguar mesazhe të këqija me mënyrën si është bërë koalicioni. Shkarkimi i bordeve që është përgjegjësi e kuvendit është shkarkuar nga qeveria. Emërimi nga 5 zv ministra, falja e borxheve për prodhuesit e ujit iniciativa për shfuqizimin e dhomave të specializuara dhe dëbimi i dhunshëm i 6 shtetasve turq. Gjatë kësaj periudhe ne si LDK jemi munduar të bëjmë një opozitë të fuqishme. Kemi qene grupi parlamentar më aktiv. Ne disa raste si GP në opozitë kemi marrë në përgjegjësi t’i përkrahim marrëveshjet shtetërore, kemi punuar në interes të shtetit. Në dy muajt e fundit situata është përkeqësuar koalicioni ka humbur shumicën parlamentare në kuvend, s’ka logjikë të shëndosh që partitë opozitare të bëjnë opozitë normale, pasi që vet funksionimi i kuvendit është vënë në pikëpyetje. Shtyhen seancat , komisionet dështojnë në mungesë të kuorumit”, ka thënë ai, përcjell kp.

Hoti shtoi se LDK e vlerëson se ka dështuar njëfarë kontrolli demokratik i kuvendit karshi qeverise.

“Pa një shumicë qeveria e vendit s’ka legjitimitet me vazhdu. Kanë filluar të dështojnë dhe mbledhjet e qeverisë. Kryeministri ka dështuar se nuk ka kontroll mbi ministra dhe institucionet. Ministrat marrin vendime mbi interesat personale. Km ka filluar të dal në terren pa kompetence për të premtuar themelimin e komunave të reja. Kemi iniciuar tryezat e partive politike me të vetmit qëllim që të caktohet data e zgjedhjeve. Përmes tryezave i kemi dhënë mundësi dialogut dhe gjërat të qartësohen”, tha ai.