Arbëri

Fruthi godet Kosovën, për 4 muaj preken 200 persona

200 është numri i personave të prekur nga fruthi, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive të QKUK-së që nga janari i këtij viti.

138 prej tyre kanë pasur ndërlikime të ndryshme në frymëmarrje, dëmtim të zemrës, temperaturë e simptoma të tjera, raporton KTV.

Të gjitha këto raste kanë arritur ta tejkalojnë rrezikun, derisa vetëm tre prej tyre, dy fëmijë e një i rritur, aktualisht janë duke u trajtuar në këtë klinikë.

Megjithëkëtë, sipas drejtorit të Klinikës infektive, Hamdi Ramadani, ky numër është në ulje, krahasuar me një vit paraprak, me ç’rast numri i personave me fruth ishte më shumë se një mijë.

Kosova vitin e kaluar e kishte shpallur epidemi nga fruthi dhe nuk ka arritur që për 1 vit ta izolojë përhapjen e tij. Kjo, sipas Ramadanit, ka ardhur si rezultat i mosvaksinimit me kohë.

Ndërkaq, sa i përket furnizimit me medikamente të nevojshme për trajtim të fruthit, Ramadani thotë se kanë pasur në dispozicion sasi të mjaftueshme të tyre.

Kështu, sipas tij, me lehtësi kanë arritur që ta menaxhojnë shumë mirë situatën.

Ai beson se numri i të prekurve nga fruthi do të shkojë drejt rënies muajve në vazhdim.