Arbëri

Në 20 vjetorin e rënies, kujtohet komandanti i njësisë së parë guerile të LKÇK-së

Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka përkujtuar Agron Rrahmanin, në 20 vjetorin e rënies së tij.

“Eu Agron, sa shpejtë shkuan 20 vjet. Eu, sa shumë uji eci këto 20 vjet. Kosova u çlirua dhe u bë shtet, jo krejt si deshe ti me shokë, por një hap i madh para është bërë. Çlirimtarja, shëmbëlltyra jote, 20 vjet po i bën. 20 vjet po i bën, pa të parë asnjëherë. Ne të gjallët, sa herë e shohim, vaji na mbërthen. E ti, ti buzëqeshur, si gjithnjë. Nuk po plakesh hiç shok. Ashtu siç nuk plaket as vepra jote, as rënia jote, as puna jote. Eu, shkuan 20 vjet, pa ty”, ka shkruar Murati, në profilin e vet në Facebook, shoqëruar me fotografi nga homazhet.

“E liria nuk do kishte ardhur pa ty komandant i të parës njësi guerile të LKÇK-së në Prishtinë ‘Rexhep Mala’ (që ishte bërthama e gueriljes së UÇK-së për Prishtinë ‘BIA’), pa punën tënde për të përhapur dritën e mobilizimit luftarak në popull, pa vendosmërinë tënde, për të mos u ndalur asnjëherë, edhe atëherë kur shumica nuk besonin në rrugën e luftës çlirimtare. Ishe një fanar lirie, atëherë kur liria dukej larg. Ishe shpresa, kur ajo dukej se nuk banonte në Kosovë. U prefsh në paqe komandant Agron”, ka thënë tutje Murati.