Arbëri

Hyrja në fuqi e pakos fiskale ka lehtësuar punën e bizneseve, thotë Haradinaj

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Merve Ozer Yilmaz, Përgjegjëse për kompaninë “NEWKO Balkan” në Suharekë, si dhe zëvendëskryetare e Bordit të Drejtorëve të Holdingut “Ozerband”.

Në këtë takim, siç njoftohet nga zyra e kryeministrit, Haradinaj i njoftoi mysafirët me vendimet e deritashme për lehtësimet e të bërit biznes dhe hapat që janë ndërmarrë nga Qeveria që prodhuesit në Kosovë të jenë të barabartë me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Europian.

Merve Ozer Yilmaz prezantoi punën dhe disa prej sfidave me të cilat ballafaqohet kompania “NEWKO Balkan”, si dhe vlerësoi pakon e re fiskale e cila ka hyrë në fuqi që nga fillimi i viti 2018.

“Pas hyrjes në fuqi të pakos fiskale, në Kosovë janë krijuar kushte shumë të favorshme biznesore. Lirimet e shumta nga detyrimet fiskale në importin e repromaterialit, pajisjeve dhe teknologjisë e bëjnë Kosovën ambient shumë të përshtatshëm biznesor”, tha Haradinaj.

Kryeministri u zotua se do t’i adresojë problemet e prodhuesve, që të marrin zgjidhje adekuate.

Përfaqësuesit e kompanisë “NEWKO Balkan”, thuhet në komunikatë, falënderuan Haradinaj për pritjen, si dhe për gatishmërinë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen bizneset dhe prodhuesit në Kosovë.