Sot është Dita e Infermierisë, në Kosovë ata përballen me vështirësi

Sot është Dita e Infermierisë, në Kosovë ata përballen me vështirësi

11 May 2018 14:31

Kolegji Heimerer dhe Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale kanë mbajtur sot Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Infermierisë, duke e shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë.

Në këtë konferencë merrnin pjesë rreth 350 veta.

Petrit Beqiri, i cili e hapi konferencën, theksoi nevojën për avancimin e shkencave shëndetësore në Kosovë, që pacienti të jetë në qendër të kujdesit të infermierit.

Prezent në hapje të konferencës ishin deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Ganimete Musliu e cila shprehi gatishmërinë që të jetë zëri i të drejtave të Iinfermierëve në Kuvendin e Kosovës. Ajo shprehi edhe pakënaqësinë me institucionet relevante në fushën e shëndetësisë për mospjesëmarrje në ngjarje si kjo, si dhe për mospërfaqësim dinjitoz të profesionistëve shëndetësorë në instanca shtetërore.

Zëvendësministri Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Heset Sahiti duke rikujtuar se infermierët janë personat e parë që kontaktohen në spitale, shtoi se kontributi i tyre është shumë i madh në shërbim të pacientëve, dhe për këtë arsye ministria është e angazhuar që të ofrojë kushte të shkollimit dhe avancimit profesional të tyre.

Në këtë zhvillim ishte i pranishëm edhe zëvendësrektori i Universitetit të Vlorës, Z.Enkelejd Mëhilli, dhe këtë ngjarje e cilësoi urë lidhëse në mes Kosovës dhe Shqipërisë, si një fillim i bashkëpunimit për avancimin e profesionit në të dy shtetet.

Konferenca u hap me tryezë diskutimi, ku të pranishëm ishin z.Frank Hantke, drejtor i FES Prishtina, z.Ferid Agani, ish-ministër i Shëndetësisë, Blerim Syla nga FSSHK, Alban Fejzaj nga Solidar Suisse, Besim Kodra nga PRAK Kosova si dhe Petrit Beqiri nga Kolegji Heimerer.

Gjatë kësaj tryeze u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohen infermierët në kushtet e dështimit të sistemit shëndetësor dhe të mosfunksionimit të sigurimeve shëndetësore.

President i konferencës, Petrit Beqiri, theksoi se është e drejtë bazike e çdo qytetari të ketë qasje në shërbime shëndetësore, ndërsa roli i infermierit është i pazëvendësueshëm. Por, siç u shpreh ai, si pasojë e mungesës së financimit adekuat të shëndetësisë, në vendin tonë po krijohen probleme në ofrimin e shërbimeve të infermierisë dhe njëherësh ua pamundëson qytetarëve të kenë qasje në këto shërbime.

Ndërkaq z. z.Frank Hantke premtoi se FES do të vazhdojë të punojë dhe kontribuojë në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Ai shfaqi keqardhje për dështimin e sistemit shëndetësor ka dështuar në Kosovë dhe se pacientët për të marrë shërbime të mirëfillta shëndetësore detyrohen të kërkojnë rrugë në rajon dhe vende tjera. Prandaj, ne do të punojmë që në Kosovë të ketë një sistem shëndetësorë më solidar dhe ku infermierët fillimisht punojnë me kontrata pune, dhe mandej të punojmë të gjithë që infermierët t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre. Ai po ashtu theksoi se i gëzohet bashkëpunimit me Kolegjin Heimerer dhe këtë tryezë e sheh si fillim të një fushate të madhe që nis këtë vit bashkërisht për shëndetësinë dhe shpreson që në vitet e ardhshme të ketë përmirësim në sistem shëndetësor.

Sipas Blerim Sylës nga FSSHK theksoi se tek ne nuk vlerësohet roli i infermierit nga mjekët, prandaj kjo është arsyeja pse unë do të luftoj vazhdimisht për të drejtat e tyre.

Solidar Suisse tha se përmes publikimit të raporteve në fushën e shëndetësisë, mundohet të ndikojnë tek politikëbërësit dhe t’iu ofrojnë atyre një pasqyrë sa më reale të gjendjes momentale.

Tryeza u zhvillua në kuadër të Konferencës së Parë Ndërkombëtare të Infermierisë e cila do të vazhdojë sot gjatë gjithë ditës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme