Arbëri

Hardinaj: Viti 2018, vit i Trepçës

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur sot anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, njofton kumtesa qeveritare.

Me këtë rast Haradinaj tha se “Qeveria e Kosovës vitin 2018 e ka shpallur vit të Trepçës dhe të gjithë duhet të punojmë me përkushtimin më të madh që ky gjigant të ringjallet, të aktivizohen resurset dhe Trepça të kthehet në misionin e saj, zhvillimin e Kosovës”, transmeton Koha.net.

Ai kërkoi nga anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, që transparenca, llogaridhënia dhe përkushtimi deri në funksionimin e tërësishëm të të gjitha njësive afariste të Trepçës.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, Ardian Syla, e njoftoi kryeministrin Haradinaj me punët që janë bërë që nga takimi i parë, në hartimin e statutit të Trepçës, regjistrimin e saj si shoqëri aksionare si dhe për zgjedhjen e bordit menaxhues.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.