A ishte ftesa për deputetët e Kosovës në Serbi “gabim administrativ”

A ishte ftesa për deputetët e Kosovës në Serbi “gabim administrativ”

09 maj 2018 19:12

Deputetë të Kuvendit të Kosovës ishin bërë gati që më 11 e 12 maj të shkonin në Beograd me ftesë të kryetarit të Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, Nenad Çanak, raporton KTV.

Por, ftesa për Vjosa Osmanin, Blerta Deliun dhe Ilir Dedën u revokua nga Kuvendi i Serbisë, me arsyetimin se ftesa për ta ishte një gabim administrativ.

Anulimi për pjesëmarrje në konferencën “Përmes idesë së BE-së, drejt paqes dhe zhvillimit”, u bë pas reagimit të të dënuarit për krime lufte, Vojsllav Sheshel.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër, duke thënë se në Ditën e Evropës, Serbia po tregon fytyrën e vërtetë antievropiane. Reagime ka pasur edhe nga kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu.

Ajo ka thënë se vendimi i Kuvendit të Serbisë për të tërhequr ftesën tregon qartë se pushteti serb nuk është i gatshëm të shkëputet nga e kaluara. Ajo ka kërkuar nga BE-ja të reagojë kundër këtij akti.

Ndërkohë, deputeti i Alternatives, Ilir Deda, ka thënë se ka kërkuar reagim nga BE-ja, por çuditet se si ende asnjë reagim nuk erdhi nga Qeveria e Kosovës. Ndërkohë, në shenjë proteste ndaj këtij akti, pjesëmarrjen e kanë anuluar edhe Shqipëria e Maqedonia.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme