Arbëri

Çanak: Krimineli i luftës anuloi pjesëmarrjen e deputetëve të Kosovës; Deda publikon anulimet e ftesave

Descriptive Text

Delegacioni i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, përveç përfaqësuesve tjerë nga rajoni dhe Evropa është dashur të marrë pjesë në konferencën për Bashkimin Evropian e cila do të mbahet më 11 dhe 12 maj në Kuvendin e Serbisë.

Nenad Çanak, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane të Serbisë dhe deputet i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, dje për gazetën serbe “Danas”, tha se për anulimin e vizitës së delegacionit të Kosovës nuk ka pasur arsye, pasi që, sipas tij, ajo ftesë nuk ka nënkuptuar njohjen e shtetit të Kosovës e as që është qëllimi i konferencës për BE-në që të merret me statusin e Kosovës.

Ai përkujton se janë ftuar të gjithë ata persona që delegacioni serb i takon në tubimet e BE-së në tërë Evropën dhe këtu s’ka asgjë të re.

“Pritja e delegacionit të Kosovës është anuluar për shkak të pyetjes së kriminelit të dënuar të luftës pyetje të cilën as që kishte të drejtë ta bënte në Kuvendin e Serbisë, sepse ligjërisht ai nuk është as deputet. Shesheli ende qëndron i ulur në Kuvend vetëm për shkak të mos-azhurnimit të Komitetit Administrativ të Kuvendit, edhe pse nuk ka të drejtë”, thotë Çanak, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, siç mësohet, të ftuar në këtë konferencë kanë qenë deputetët e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, LDK, Ilir Deda, Alternativa, si dhe Blerta Deliu-Kodra-PDK, por të cilët kanë pranuar nga një letër nga Kuvendi i Serbisë për t’u njoftuar lidhur me anulimin e pjesëmarrjes së tyre në konferencën “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit” të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd.

Të tri letrat i ka publikuar deputeti Deda, duke thënë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për normalizimin të raporteve.

“Ja letra e drejtuar mua, Vjosa R. Osmani dhe Blerta Deliu-Kodra e anulimit të pjesëmarrjes në konferencën ‘Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit’ të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd. Në ditën e Evropës, del fytyra anti-evropiane e udhëheqësisë së Serbisë. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për “normalizim” të raporteve me Kosovën, dhe për “përkushtimin” ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Deda në Facebook.

Në këto letra, sipas parlamentit serb, ftesa që deputetët kosovarë kanë marrë është bërë për shkak të një lëshimi administrativ.

Image
Image
Image