Arbëri

Përveç pagave të larta në Telekom u bënë gradime të pabaza të punëtorëve

Besa Shatri-Berisha, kryetare e Bordit të Telekomit të Kosovës, në “Express Intervistën” në KTV ka folur për krizën financiare që po rrezikon falimentimin e kësaj kompanie.

Duke folur për borxhin prej 60 milionë eurove, Berisha ka thënë se përveç mbipopullimit me staf dhe pagave të larta, Telekomi është përballur me gradime të personelit pa ndonjë arsye.

Përfaqësuesja e Bordit ka thënë se paga mesatare në Telekom është 980 euro dhe pas krizës financiare është duke u punuar në rikonstruktim dhe pastaj në mundësinë e nivelizimit të pagave.

“Telekomi është i mbipopulluar me staf, përveç pagës së lartë kemi edhe numër të lartë të punëtorëve, një rrogë mesatare prej 980 eurove për një kompani pranë falimentimit nuk është gjë e zakonshme. Jemi duke punuar në ristrukturim, është e vërtetë që kemi një staf të moshuar, por do të shikohen mundësinë e nivelit të pagave. Problemi nuk është te numri i punëtorëve, por ka pasur gradime të personelit pa ndonjë arsye. Nuk ka pasur bazë mbi të cilën janë kryer gradimet”, ka thënë Shatri-Berisha.

Nga 60 milionë euro borxhe, 24 milionë duhet t’ia paguajë kompanisë Z-Mobile, me të cilën ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2023 për shpërndarje të numrave telefonik

“Sikur t’i kishim mjetet për pagesë të borxhit, ne kemi të drejtë që të mos vazhdojmë bashkëpunimin me Z-Mobile pas vitit 2019, por mungesa e mjeteve na detyron të zgjasim bashkëpunimin”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse Qeveria ka të drejtë të marrë vendime për uljen e pagave në Telekom, Besa Shatri-Berisha, ka thënë se ky vendim është kompetencë e bordit dhe e ekzekutivit të Telekomit.

“Është kompetencë e bordit dhe e ekzekutivit. Janë raste të rralla ku aksionari vendos të ndërhyjë. Nuk do të ketë vendim të njëanshëm dhe nëse nuk ka zgjidhje tjetër, atëherë vendimi [për ulje të pagave] mbetet zgjidhje reale”, ka thënë ajo.