Arbëri

Hoxhaj thotë se ka marrë sinjale pozitive nga eurodeputetët për vizat

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur sot në takim zyrtar delegacionin e deputetëve të Partive Popullore Evropiane nga Parlamenti Evropian, të përbërë nga Andreu Kovatchev, Asim Ademov dhe Adam Szejnfeld.

Në këtë takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes se Stabilizim Asociimit, dhe agjendën e reformave evropiane. Këto informacione, Hoxhaj i bëri të ditura në rrjete sociale.

Theks i veçantë gjatë këtij takimi iu vu edhe procesit të liberalizimit të vizave. Hoxhaj tha se ka marrë sinjale mjaft pozitive dhe inkurajuese në këtë drejtim.

“Pata kënaqësinë ta pres sot delegacionin e deputetëve të EPP-së nga Parlamenti Evropian. Diskutuam për perspektivën evropiane të Kosovës, MSA-në dhe Agjendën e Reformave Evropiane. Shkëmbime mjaft inkurajuese për procesin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Hoxhaj.