Arbëri

“Iowa s’ka gjetur bashkëpunim më të mirë sesa Kosovën dhe popullin e saj”

Marrëdhëniet bilaterale dhe miqësia e mirë që Kosova ka me shtetin e Iowas, janë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte vlerësimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, Gjeneral Major Timothy Orr.

Gjatë takimit me Orrin, “Haradinaj e njoftoi për të arriturat dhe prioritet e Qeverisë së Kosovës, veçmas në fuqizimin dhe avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për çka Kosova ka nevojë për ndihmën dhe asistencën e ShBA-së”.

“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet tona bilaterale të fuqizohen në fusha të interesit të përbashkët dhe përvoja juaj do të na ndihmojë në avancimin e sektorëve të ndryshëm, veçmas në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë, në kulturë”, tha Haradinaj.

“Ne kemi nevojë për storie suksesi, duke çuar përpara bashkëpunimin shumëvjeçar me shtetin e Iowas. Tani me ardhjen e delegacionit prej 60 anëtarësh nga ky vend nga institucione dhe profile të ndryshme, ne po e profilizojmë këtë bashkëpunim, duke i dhënë theks të veçantë fushës së arsimit dhe fushës ekonomike, krahas prezencës ushtarake", tha Haradinaj, duke kërkuar nga Orri vazhdimin e mbështetjes ushtarake në aksione të përbashkëta me FSK-në.

Ndërkaq, Orr tha se sa herë është për vizitë në Kosovë ndjehet mirë, duke e vlerësuar progresin e Kosovës në këtë dekadë të parë të pavarësisë së saj, sipas njoftimit nga qeveria.

Pas takimit me Haradinajn, në një adresim para kabinetit qeveritar, Orr tha se partneriteti Kosovë-Iowa është më i miri që ka Iowa dhe SHBA-ja, dhe kjo falë popullit të Kosovës. “Nuk kemi gjetur partneritet më të mirë sesa Kosovën dhe popullin e saj”, ka deklaruar ai.

Duke folur për raportet e mira ndërmjet dy vendeve, Orr tha se janë në pritje të nënshkrimit të dy marrëveshjeve me qytetet simotra.