Arbëri

UP dhe ASK me Marrëveshje Mirëkuptimi për qasje në të dhënat statistikore

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku parashihet bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet dy institucionave të Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit është bërë nga Rektori i UP-së, Marjan Dema dhe Kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, Isa Krasniqi.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Krasniqi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërmjet ASK-së, si institucion bartës i prodhimit të statistikave zyrtare dhe Universitetit të Prishtinës, si institucion akademik për hulumtime shkencore, analiza e projeksione të ndryshme.

“Kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe ASK-së, që do të rezultonte në zhvillimin e politikave, zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve me interes të përbashkët. Po ashtu, do t’i shërbejë personelit akademik në mundësinë e qasjes në të dhëna të ndryshme statistikore për t’i realizuar aktivitetet e tyre hulumtuese dhe shkencore”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Kurse, Dema foli për vlerën e informacionit në të gjitha fushat. Ai tha se “pikërisht është statistika ajo që i mbledh të gjitha ato informacione”.

“Ajo që na intereson neve është se jemi të interesuar të japim kontributin tonë në ndryshime pozitive, jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe në komunitet. Planin Strategjik e kemi ndërtuar në atë mënyrë që Universiteti i Prishtinës të jetë i orientuar nga një universitet kryesisht teorik, në një universitet të orientuar kah biznesi, puna dhe industria”, ka thënë Dema.

Në këtë aspekt, ai përmendi kontributin e madh të dekanit të Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, i cili bashkë me Kryeshefin Ekzekutiv të ASK-së ishte edhe iniciatori kryesor për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të mirëkuptimit.

Rektori Dema tha po ashtu se “përmes kësaj marrëveshjeje pres të mos jetë vetëm marrëveshje në letër, që vizionin që ka Universiteti i Prishtinës brenda këtij trevitshi të realizohet me këtë politikë që jemi duke e udhëhequr dhe gjithpërfshirëse”.

Ai po ashtu, përmendi që “përmes kësaj Marrëveshje të Mirëkuptimit pret që të kryhet edhe ndonjë shërbim për studentët tanë për kryerjen e praktikës në ASK, që nga Universiteti i Prishtinës të mos ketë asnjë të diplomuar pa pasur të paktën një tremuajsh të punës praktike”.