Arbëri

Haradinaj kërkon nga qytetarët të mos kërkojnë azil kur të vijë liberalizimi

Krerët e shtetit kanë pranuar se Bashkimi Evropian është për Kosovën prioritet, ndërsa thanë se liberalizimi i vizave është një shans, jo për të ikur jashtë vendit, por për t’i rikthyer edhe ata që kanë ikur. Megjithatë, ata thanë se për të hyrë në familjen e madhe evropiane nevojitet shumë punë për të bërë.

Këto komente janë bërë gjatë një debati me të rinjtë me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, ku morën pjesë edhe zyrtarë shtetërorë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, tha se Bashkimi Evropian është prioritet i Kosovës dhe se janë të vendosur të ecin në këtë proces.

“Ne jemi krenarë për identitetin tonë kombëtar, ne respektojmë komunitetet. Liberalizimi i vizave për neve do të thotë shans e mundësi, jo për të ikur jashtë vendit, por për të rikthyer edhe ata që na kanë ikur”, u shpreh ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se Evropa është skeptike sa i përket zgjerimit, ndërsa ka përmendur faktin se edhe pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, andaj është i vështirë partneriteti me Kosovën.

“Raporti i fundit i progresit është tregues se rinia dhe Kosova nuk janë të pabarabartë. Sot po flasim për liberalizimin e vizave, më vonë për statusin kandidat dhe krejt kjo është si një farë lloj lige ku Kosova duhet të kualifikohet. Është mirë me e ditë se ne do t’i takojmë një familje më të madhe. Nuk është larg kjo ditë, besoj se këtë vit do ta marrim liberalizimin e vizave dhe nuk do të shkoj larg statusi i kandidatit për BE. Kur të vijë liberalizimi mos me dal për të kërkuar azil”, tha Haradinaj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por duhet punuar shumë në këtë drejtim.

Ajo tha se ekziston mundësia që vitin tjetër ta marrim statusin e kandidatit të BE dhe të gjithë hapat tjerë që janë në proces të integrimit.

“Nëse punojmë bashkë, do të arrijmë ta bëjmë Kosovën vend më të mirë”, tha ministrja Hoxha.