Arbëri

Krasniqi: Korrupsioni po lulëzon në Kosovë

Janë të paktën shtatë raste të dyshuara për korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike në Kosovë, të cilat janë përfolur kohët e fundit.

Kështu ka thënë Albert Krasniqi nga KDI, duke përmendur edhe Telekomin dhe faljen e Hidrocentraleve.

Krasniqi ka thënë se liderët po thonë se korrupsioni po luftohet e është vetëm perceptim, por megjithatë, korrupsioni po lulëzon në Kosovë, transmeton Koha.net.

Postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Vetëm gjatë kësaj jave kanë qarkulluar në media të paktën shtatë raste të dyshimit për korrupsion dhe keqpërdorim të parasë publike:

1. Degradimi i qëllimshëm i Telekomit për t’a privatizuar me çmim të ulët;

2. Kontrabantimi i katër Hidrocentraleve;

3. Inkriminimi i Policisë së Krimeve Ekonomike që në këmbim të parave ka mbyllur rastet;

4. Djali i zëvendëskryeministrit me dy biznese të importi të naftës;

5. Shefi i sigurimit të Kryeministrit së bashku me persona të dënuar për fajde, i hyjnë biznesit të ndërtimit me kapital 1.5 milionë euro;

6. Bordi i “Ipër-Lepencit” kishte marrë vendim për shpërblim me 50% të honorarit vjetor për anëtarët e bordit dhe pagën e 13-të për të gjithë të punësurit, përkundër humbjeve mbi 4 milionë euro neto;

7. Keqpërdoret fondi për përkrahje financiare të komunitetit ashkali.

Për disa prej tyre tashmë kanë nisur hetimet, e disa të tjera mund edhe të mos jenë të vërteta. Mirëpo rastet që ne arrijmë t’i shohim janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që në të vërtetë ndodh çdo ditë.

Mandej po na thuhet që korrupsioni është vetëm përceptim. Korrupsioni po lulëzon në Kosovë.