Arbëri

Balaj: Të hiqen ‘duart e krimit’ nga Telekomi - për 1 vit e kthejmë kompaninë në fitimprurëse

Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lami Balaj, ka thënë se kjo Sindikatë, edhe në kohën kur është vënë Telekomi në privatizim, kanë qenë kundër këtij veprimi ndërsa ka shtuar se kompania “Axos” është kompani fantazmë.

Balaj, në Interaktiv të KTV-së, ka folur edhe për lajmin në lidhje me mundësinë e uljes së pagave për punëtorët e Telekomit prej 40 për qind.

Balaj tha se me të dëgjuar për këtë lajm, kanë kontaktuar dhe janë takuar me Bordin e Drejtorëve në Telekomin e Kosovës.

“Ata na kanë premtuar dhe u kanë dërguar punëtorëve një email se nuk do të ketë ulje të pagave, s’e nuk është duke u diskutuar kjo çështje. I kanë dërguar një letër edhe ministrit për t’i treguar se në çfarë gjendje është Telekomi. Por, ministri [i MZHE-së, Valdrin Lluka] në deklaratat publike ka qenë konfuz. Që prej kur ka ardhur në MZHE, asnjëherë nuk ka thënë se do të hetohet dikush për këtë rast”, tha Balaj, duke potencuar se Bordi ka vendosur se nuk do të ketë ulje pagash.

Ndërkaq, Balaj tha se duhet të bëhet një analizë e numrit të të punësuarve sepse, siç tha ai, ka raste që ka punëtorë që mbajnë dy puna, edhe në Telekom edhe diku tjetër. “Pra, s’mund të ulen shpenzimet e personelit. Unë kam propozuar edhe uljen e qirave për antena e të tjera, por Bordi ka adresuar çështjen se është Zmobile ai që e ka ngufatë Telekomin e Kosovës dhe ka kërkuar që të shqyrtohet se çfarë po ndodh me Zmobilen”, shtoi ai.

“Është interesant se si po e thotë Ministri se po falimenton kompania. Nuk është ashtu. Ka periudha kur ka më pak të hyra, por asnjëherë nuk janë nën 4.5 milionë euro në muaj. Si mund të falimentojë një kompani me kaq të hyra”, tha Balaj.

Sipas tij, Telekomi i ka borxh Zmobilet 27 milionë euro, ani pse ish-drejtori i kësaj kompanie, Agron Mustafa, thoshte se e ka shpëtuar kompaninë dhe se i është falur ai borxh kompanisë.

Balaj tha se Telekomi u ka rreth 11 milionë euro borxh kompanive që kryejnë punë për PTK-në.

“Janë edhe disa shpenzime që kanë thënë se janë rreth 5 milionë... kanë thënë se janë disa licenca e të ngjashme, por s’e kanë përmendur asnjëherë që janë rreth 17 milionë euro borxhe që i kanë Telekomit të Kosovës. Janë ndërmarrje publike e private, e në mesin e borxhlinjve të këqij janë edhe ndërmarrjet shtetërore”, deklaroi kryesindikalisti i PTK-së, Lami Balaj.

“Prandaj, nuk është zgjidhje ulja e pagave në 40 për qind, e as 1 për qind madje. Më 2012 janë ulur pagat e punëtorëve në emër të shpenzimeve për t’u paguar dënimi që ka ardhur nga arbitrazhi ndërkombëtar sepse ish-ministri Ahmet Shala e ka ndalur një tender të faturimit, dhe me vendim të Qeverisë jemi dënuar si Telekom me 10 milionë euro dhe me një vendim, brenda një nate, na janë ulur pagat”, deklaroi ai.

Sipas tij, nuk qëndron fakti se pagat e punëtorëve të Telekomit janë shumë të mëdha. Ai tha se kjo është kthyer në legjendë.

“Në vitin 2005 është paguar një kompani ndërkombëtare për t’i bërë pagat në Telekom. Kemi qenë me paga të larta, por nuk jemi më. Paga mesatare është rreth 700 euro dhe për punëtorët e Telekomit është e vogël, sepse ka punëtorë që tërë ditën janë nëpër shtylla e nëpër kanalizime”, u shpreh ai.

Balaj tha se po dyshon që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është duke i mbrojtur interesat e Zmobilet për shkak se ka qenë punëtor i kësaj kompanie në kohën kur është lidhur kontrata.

“Në vitin 2009-2010, kur Zmobile ka lidhur kontratë me Telekomin e Kosovës, ka qenë drejtor i Marketingut dhe Shitjes në Zmobile. Unë besoj se ai po i mbron interesat e kompanisë Zmobile. Ai nuk po e mbron kompaninë publike. Ai thirrjet i realizon me numër 049 (IPKO) ndërsa marrëveshja e MAP-it (Ministria e Administratës Publike) i obligon institucionet shtetërore që t’i marrin shërbimet e kompanisë publike, ndërsa ministri i dikasterit tonë, i Zhvillimit Ekonomik, thotë se duhet të falimentohet Telekomi”, deklaroi Balaj.

Tutje, Balaj kërkoi që të hiqen “duart e krimit” nga Telekomi sepse vetëm në këtë mënyrë kjo kompani mund të kthehet në kompani profitabile.

“Ju premtoj se nëse largohen duart e krimit nga Telekomi, për një vjet jemi të gatshëm t’i kthejmë shpenzimet dhe do të japim dividentë. Krimi i parë është që i është dhënë kontrata Zmobilet gjë që s’na është dashur fare. Kompanisë po ia falim ato para. Le të na thonë se janë të fortë dhe është marrëveshja e tillë, ne po ua japim. Janë rreth 22 milionë euro paga vjetore në kompani e jo 24 sa ka thënë Ministri. Postës së Kosovës, në emër të qirasë, i paguajmë miliona euro. Posta e Kosovës ka mbetur barrë për Telekomin. Gjithkund në botë atë e financon shteti. Ata krejt çka bëjnë është se i nxjerrin pagat e tyre duke i shitur produktet tona”, shtoi ai.

Ndërkaq, ministri Valdrin Lluka, ka thënë se duhet t’i jepen ato 27 milionë euro Zmobilet dhe më pas të dalë Telekomi në privatizim në kuadër të Ligjit për Investime Strategjike. Megjithatë, Balaj thotë se ministri po del shumë herë konfuz.

“Si ndodhi që në kohën kur u lidh kontrata me Zmobile, ish-Drejtori i ‘Devolli Group’, shkoi nga kjo kompani në ARKEP. Dhe nëse e keni vënë re, bordi i Drejtorëve ka dërguar një letër dje, ku thotë se në Arbitrazh, lënda është humbur falë dëshmive që janë bërë nga njerëzit e ARKEP-it në favor të Zmobilet dhe falë njerëzve që e kanë nënshkruar atë marrëveshje brenda Telekomit. Pra, kjo është bazë e mjaftueshme për Prokurorinë e Shtetit”, shtoi ai.

Sipas tij, ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka, është duke dërguar “ujë në mulli të huaj”.

“Unë po dyshoj se ai është duke e bërë këtë punë me qëllim. Shumë njerëz thonë duhet të kryhen hetime në këtë rast, e ministri del thotë se duhet të ulen pagat. Unë e di pse e thotë ai këtë, sepse ai e di se pagat nuk do të ulen sepse nuk amnistohet krimi. Nuk mund të amnistosh krimin e njerëzve që e kanë sjellë në këtë gjendje Telekomin duke ua ulur pagat punëtorëve, këtë herë 40 për qind, herën tjetër edhe 40 për qind tjera dhe kështu falimenton. Por, Telekomi nuk falimenton. Unë jam që të shkëputet kontrata me Zmobile, të hetohen njerëzit që e kanë nënshkruar këtë kontratë, dhe kam informata që janë bërë edhe falsifikime, pra Bordi ka dhënë tjetër rekomandim e ish-kryeshefat kanë nënshkruar tjetër kontratë. T’ia japësh një kompanie në shfrytëzim asetin tënd dhe ajo të jap vetëm 23 për qind dhe t’i mbajë 77 për qind për vete, nuk është e pranueshme”, deklaroi Balaj.

Sipas tij, futja e temës së uljes së pagave është bërë nga Ministri Lluka me qëllim që të hiqet fokusi nga kjo temë.

Balaj tha se ekzistojnë emaila që janë shkëmbyer mes Telekomit dhe Zmobilet në lidhje me përpilimin e kontratës.

Kryesindikalisti tha se “nuk do t’ia ofrojmë kënaqësinë Ministrit që të bllokojmë kompaninë me protesta apo bojkot e të thonë më pas se ja falimentoi kompania”.

“Mos na detyroni të dalim në protesta, e të mbajmë greva, sepse me 2300 punëtorë të Telekomit dhe me 1100 të Postës që janë direkt të lidhur me neve se ekzistencën e kanë tek ne, nuk e dimë çka mund të ndodhë. Nuk pranojmë uljen e pagave, jo prej 40 për qind, por as prej 4 centësh”, deklaroi kryesindikalisti i PTK-së, Lami Balaj, duke potencuar se privatizimi i Telekomit nuk duhet të ndodhë.