Arbëri

Berisha: Kosova fiton betejën në “Rastin Axos” për PTK-në

Avokati, Besnik Berisha përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se sot Kosova ka fituar betejën në arbitrazh ndaj kompanisë Axos për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Berisha thotë se me këtë rast kompania në fjalë do t’i paguajë Kosovës 2 milionë euro, transmeton Koha.net.

“Një lajm fantastik për Republikën e Kosovës. Sapo u konfirmua që Republika e Kosovës ka fituar tërësisht betejën ligjore në arbitrazh kundër kompanisë Axos GMBH, e cila kërkonte dëmshpërblim qindra miliona euro nga Kosova, për anulimin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Me këtë vendim Axos GMBH detyrohet t’i paguajë Kosovës 2 milionë euro në emër të shpenzimeve për përfaqësim dhe jo vetëm”, ka thënë Berisha.

Ai më tutje ka shtuar se, “si njëri nga ata që ka besuar në këtë fitore dhe që bashkërisht me ish-kryeministrin Mustafa, ish-ministrin Blerand Stavileci dhe kolegët e tjerë të kabinetit të kryeministrit dhe ministrave respektivë, kemi koordinuar të gjitha proceset e mbrojtjes së interesave të Kosovës dhe përzgjedhur përfaqësuesit tonë në arbitrazh, jam jashtëzakonisht i lumtur me këtë epilog”.

Berisha thotë se, “kam qenë pjesë e koordinimit të mbrojtjes dhe kam udhëhequr procedurat e përzgjedhjes së përfaqësuesit tonë në arbitrazh”.