Arbëri

Millosheviq: Vështirë ndalohet hyrja e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave

Foto: Koha

Serbinë e pret një luftë e vështirë dhe afatgjate për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Botërore të Doganave, është ankuar sot për agjencinë serbe të lajmeve tanjug, zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave të Serbisë Veselin Millosheviq.

Ai ka përsëritur atë që e thonë gjithnjë zyrtarët serbë se ”Kosova nuk mund të jetë anëtare e kësaj organizate, sepse, ajo nuk ka atribute të shtetësisë dhe nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, transmeton Koha.net.

Millosheviq ka thënë se puna e grupeve të punës dhe përcaktimi i modeleve dhe kushteve në këtë organizatë po ecin ngadalë, pasi që, sipas tij, në OBD ekziston polarizimi rreth anëtarësimit të Kosovës në të. Ai ka shtuar se trupi që do të merret me këtë çështje do të ketë 12 përfaqësues nga gjashtë rajonet e botës, ndërsa nga Europa do të jenë Rusia që e përkrah Serbinë dhe Britania e Madhe që e përkrah Kosovën.