Arbëri

Shefi i OSBE-së thotë se media në Kosovë ka bërë progres

21:22 - Jan Braathu, shef i misionit të OSBE-së në Kosovë në Rubikon të KTV-së ka folur për lirinë e mediave në Kosovë.

Ai thotë se mediat nuk janë larg nga shoqëria, pasi janë pjesë e saj. Ai thotë se është bërë progres në mediat kosovare, përkundër që është i ngadalshëm.


Bajrami ia kujton Matoshit se Zyra e Kryeministrit i quante mediat urrejtës patologjikë të kryeministrit

21:12 - Agron Bajrami, kryeredaktor në Koha Ditore ia ka përkujtuar këshilltarit të kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshit se si Zyra e Kryeministrit i ka quajtur mediat urrejtës patologjik të kryeministrit.

Bajrami në Rubikon gjithashtu ka treguar se i 11 herë ia kanë dërguar pyetjet e njëjta kryeministrit, e vetëm në fund marrin një përgjigje të shkurtë.

Matoshi në anën tjetër thotë se nuk e di për një gjë të tillë, pasi nuk merret me pjesën e mediave në Qeveri.


Pantina ka kritika për funksionimin e komisionit të pavarur për media

20: 58 - Shqipe Pantina, deputetja e Grupit të Deputetëve të Pavarur ka kritikuar mënyrën se si funksionon komisioni i pavarur i mediave për të siguruar qasje e hapësirë të njëjtë për të gjitha mediumet.

Se çfarë ka deklaruar ajo në Rubikon mund ta dëgjoni videon më poshtë.


Bajrami: Moszgjidhja e rasteve të rrahjeve të gazetarëve përbën kërcënim të madh

20:32 - Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami në Rubikon të KTV-së ka shprehur shqetësimin e tij për mos zgjidhjen e rasteve të rrahjes së gazetarëve.

Ai thotë se vullneti i institucioneve për t’i zgjidhur problemet dhe presionet që iu bëhen gazetarëve është minimal.

Më poshtë keni deklaratën e tij.


Përmbledhje e raporteve të organizatave botërore për lirinë e medias në Kosovë

Korniza ligjore, si ajo kombëtare e ndërkombëtare prerazi qartëson të drejtën për lirinë e shprehjes dhe informacionit. Që të dy këto, në bazën kushtetuese, janë shtylla bazë për zhvillimin e profesionit të gazetarisë në mënyrë të pavarur.

Debati nëse ka liri të shprehjes apo jo, nëse pavarësia e medias është në trysni apo ka përmirësime, po vazhdon në çdo cep të botës, transmeton emisioni Rubikon në KTV.

Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Freedom House, vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në shkallën e demokracisë që nga viti i kaluar. Ajo rendit Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve ku liria e mediave është pjesërisht e lirë. Në Ballkan, si shtete ku mediat janë të lira konsiderohen Kroacia dhe Serbia.

Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitin 2017, pasi parimet themelore të saj, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit, u sulmuan në mbarë botën.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Raportin e saj mbi lirinë e shtypit e publikoi edhe organizata “Reporterët pa kufij”, e cila radhit Kosovën në vendin e 78-të përderisa Shqipëria merr një numër më lartë se vitin e kaluar duke u radhitur në vendin e 75-të.

Grupi me bazë në Paris paralajmëron se shkeljet e lirisë së shtypit nuk janë më vetëm praktika të regjimeve autoritare dhe diktatoriale, pasi sipas tyre, reflektohet edhe rritja e ndikimit të “njerëzve të pushtetshëm”, që kanë kaluar përtej kufijve.

“Reporterët pa kufij” kanë përkujtuar rastin kur kryeministri Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë në një vizitë që ia bëri ministrit Pal Lekaj në ditët e para të qeverisë së tij.

Ndërsa në Raportin e Progresit për Kosovë tërhiqet vërejtje për vazhdimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

Nënvizohet se kuvendi ka treguar përkushtim të kufizuar në gjetjen e një zgjidhjeje për financimin e qëndrueshëm të transmetuesit publik, duke e lënë atë të ndjeshëm ndaj presionit politik.